Botë

Bota me protesta kundërshton pushtimin rus të Ukrainës

Në qytetet kryesore të botës janë mbajtur protesta kundër pushtimit të Ukrainës nga Rusia. Në të njëjtën ditë, NATO-ja ka dërguar forca shtesë në Evropën Lindore, si masë mbrojtëse ndaj paralajmërimeve se Rusia mund të nisë pushtimin e shteteve të tjera ish-sovjetike

Nga Stambolli deri në Tokio është protestuar në dy ditët e fundit kundër pushtimit të Ukrainës nga Rusia.

Dhjetëra protestues janë mbledhur të shtunën në Stamboll për të kundërshtuar pushtimin rus. Ata i kanë bërë thirrje Turqisë dhe botës që ta ndihmojnë Ukrainën.

Protestuesit kanë mbajtur pankarta, me të cilat u bëhej thirrje NATO-s ta mbyllë hapësirën ajrore të Ukrainës.

Protestë pati edhe para Ambasadës ruse në Ankara. Protestuesit turk, pushtimin rus e kanë cilësuar si politikë cariste.

Kundërshtimi i pushtimit rus është bërë edhe të shtunën kur vëmendje të madhe mori sulmi ndaj një ndërtese shumëkatëshe në periferi të Kievit. Së paku 2 civilë janë raportuar të vrarë nga sulmi me raketë, ndërkaq 6 të tjerë janë lënduar.

Ndërkohë, liderët e Ukrainës gjatë të shtunës kanë deklaruar se ushtria ka mbrojtur me sukses kryeqytetin, mirëpo kanë kërkuar ndihmë nga shtetet perëndimore.

Protesta janë mbajtur edhe brenda Rusisë. Dhjetëra protestues janë arrestuar në protestën e mbajtur në Shën Petersburg kundër pushtimit rus të Ukrainës.

Protestues pati edhe në rrugët e ish-shtetit tjetër sovjetik, Gjeorgjisë. Qindra njerëz kanë bërë thirrje për dorëheqjen e kryeministrit, i cili refuzoi t’u bashkohej shteteve perëndimore në nisjen e sanksioneve të ashpra kundër Rusisë.

Protesta pati edhe në Tokio të Japonisë. Me thirrje për ndalje të luftës, qindra japonezë kanë kundërshtuar pushtimin e Ukrainës nga Rusia. Shumë nga protestuesit kanë thënë se të afërmit e tyre i kanë në Ukrainë dhe nuk dinë për fatin e tyre.

Të premten, shtetet perëndimore kanë sanksionuar presidentin Vladimir Putin dhe ministrin e Jashtëm rus, Sergei Lavrov. Ndërkaq, NATO-ja ka dërguar edhe më shumë trupa në Evropën Lindore nga frika se lufta mund të zgjerohet në shtetet e tjera ish-sovjetike.