Botë

Bota është më e rrezikshme me “Trump 2”, thotë ish-këshilltari i tij

Donald Trump dhe John Bolton, 2018

Donald Trump dhe John Bolton, 2018

Foto: Associated Press

Një krizë e madhe ndërkombëtare është "shumë më e mundshme" në mandatin e dytë të Donald Trumpit, duke pasur parasysh "paaftësinë" e presidentit të zgjedhur për t'u fokusuar në politikën e jashtme, ka paralajmëruar ish-ambasador i SHBA-së në Kombet e Bashkuara, John Bolton.

Bolton, i cili ishte këshilltari më jetëgjatë i Trumpit për Sigurinë Kombëtare, ka bërë një kritikë të ashpër për mungesën e njohurive, interesit për faktet ose strategjinë koherente të tij. 

Ai e ka përshkruar vendimmarrjen e Trumpit si të nxitur nga marrëdhëniet personale dhe jo nga një kuptim i thellë i interesave kombëtare.

Bolton ka hedhur poshtë gjithashtu pretendimet e Trumpit gjatë fushatës zgjedhore të këtij viti se vetëm ai mund të parandalonte një luftë të tretë botërore duke i dhënë fund të shpejtë konflikteve në Gaza dhe Ukrainë.

“Është Trumpi tipik: gjithçka është mburrje”, ka thënë Bolton për The Guardian. 

“Bota është më e rrezikshme se kur ai ishte president më parë. E vetmja krizë e vërtetë që patëm ishte Covid, e cila është një krizë afatgjatë dhe jo kundër një fuqie të veçantë të huaj, por kundër një pandemie. Rreziku i një krize ndërkombëtare të llojit të shekullit të 19-të është shumë më i mundshëm në një mandat të dytë të Trumpit. Duke pasur parasysh paaftësinë e Trumpit për t'u fokusuar në vendimmarrje koherente, unë jam shumë i shqetësuar se si mund të duket kjo”, është shprehur ai.

Bolton, 76-vjeç, është prej kohësh një kritik i politikës së jashtme, duke mbështetur pushtimin e Irakut në vitin 2003, dhe ka bërë thirrje për veprime ushtarake të SHBA-së kundër Iranit, Koresë së Veriut dhe vendeve të tjera lidhur me përpjekjet e tyre për të ndërtuar ose siguruar armë bërthamore, kimike ose biologjike.

Ai ishte ambasadori i Xhorxh W Bushit në OKB për 16 muaj pasi shërbeu si negociator armësh në departamentin e shtetit, dhe në administratat e Ronald Reganit dhe Xhorxh W Bushit. 

Bolton ishte këshilltar i Trumpit për Sigurinë Kombëtare nga prilli 2018 deri në shtator 2019.