Pasi armëpushimi mes Izraelit dhe Hezbollahut hyri zyrtarisht në fuqi, edhe përfaqësuesit e organizatës palestineze Hamas deklaruan se janë gati për paqe.
Në një deklaratë të një zyrtari të lartë të Hamasit, u tha se grupi është i gatshëm për armëpushim në Gaza dhe mirëpret armëpushimin e arritur midis Izraelit dhe Hezbollahut.
“Ne kemi informuar ndërmjetësuesit në Egjipt, Katar dhe Turqi se Hamasi është gati për marrëveshje armëpushimi dhe një marrëveshje serioze për shkëmbimin e të burgosurve”, ka thënë zyrtari, raporton Reuters.
Armëpushimi mes Hezbollahut dhe Izraelit hyri në fuqi në orën 4 të mëngjesit me orën lokale, duke u dhënë fund luftimeve 14 mujore.
Marrëveshja parashikon periudhë tranzicioni prej 60 ditësh, gjatë së cilës ushtria izraelite do të tërheqë forcat nga Libani jugor, ndërsa ushtria libaneze do të vendosë rreth 5 mijë trupa në jug të lumit Litani, duke përfshirë 33 pika përgjatë kufirit me Izraelin.
Nga ana tjetër, Hezbollahu është zotuar sipas marrëveshjes që të largohet nga Libani jugor dhe infrastruktura e organizatës në këtë pjesë do të largohet.