Neglizhenca e Bashkimit Evropian dhe e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka nxitur Rusinë që t’u fryjë flakëve etnike në Bosnjë-Hercegovinë
Ani pse Bosnjë-Hercegovina ka shmangur luftën e plotë që prej vitit 1995, revista politike “Foreign Policy” vlerëson se shteti ballkanik kurrë më parë nuk ka qenë buzë një krize tjetër etnike sesa që është sot.
Rusia e frymëzuar nga pasiguritë e Bashkimit Evropian dhe të NATO-s është duke nxitur përçarjen etnike të Bosnjës, teksa Brukseli i vetëkënaqur po shikon se si vendi po vihet buzë greminës. Është koha që Shtetet e Bashkuara të Amerikës të ndërhyjnë përpara se të presin për një denoncim katastrofik të këtyre zhvillimeve të rrezikshme, ka vlerësuar revista.
Rëndësia e Bosnjës për fuqitë perëndimore dhe për Rusinë buron nga i njëjti fakt: Shteti është i vendosur në kryqëzimin e ndikimit të NATO-s dhe Rusisë. Perëndimi njeh disa nga potencialet që Bosnja mund të kishte nëse do të futej në bllokun e NATO-s, por duket se nuk i kupton pasojat e vendit që po rrëshqet në rrëmujën e shkaktuar nga Kremlini.
“Foreign Policy” shkruan se nga ana e saj, Rusia është thjesht e qëndrueshme: Ashtu siç u përpoq pa sukses për të parandaluar anëtarësimin e Malit të Zi dhe të Maqedonisë së Veriut në NATO. Njëjtë edhe tani po përpiqet të ndalë aspiratat e Bosnjës drejt të njëjtit qëllim.
“Megjithëse Rusia këmbëngul publikisht në parimin e mosndërhyrjes në punët e brendshme, Kremlini së fundmi kërcënoi hapur Bosnjën për përpjekjen e saj për t’u anëtarësuar në NATO. Brenda Bosnjës, anëtari serb i Presidencës, Milorad Dodik, i cili u sanksionua nga Shtetet e Bashkuara në janarin e 2017-s, ka punuar me zell bashkë me zyrtarët rusë për të prishur dhe për ta zhbërë demokracinë boshnjake”, vlerëson “Foreign Policy”. “Për disa vjet ka bërë thirrje që pjesa me shumicë serbe e Bosnjës të shkëputet nga Bosnja dhe të bashkohet me Serbinë, duke realizuar ëndrrën nacionaliste për një ‘Serbi të Madhe’. Natyrisht, Rusia mohoi çdo ndërhyrje në zgjedhjet e 2018-s në Bosnjë. Dodik për ndërhyrje në zgjedhjet boshnjake akuzoi Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.
Non-paperi ballkanik

Por nuk janë vetëm serbët e Bosnjës ata tek të cilët Rusia po përpiqet të ndikojë. Që kur Marrëveshja e Daytonit i dha fund luftës së Bosnjës më 1995, vendi është mbajtur bashkë nga një ekuilibër i brishtë i dy blloqeve politike – Republikës Serbe të drejtuar nga serbët dhe Federatës së Bosnjë-Hercegovinës me shumicë boshnjake. Por duke refuzuar Daytonin, kroatët e Bosnjës kanë këmbëngulur të kenë bllokun e tyre politik. Krijimi i një njësie politike kroate do ta copëtonte vendin edhe më shumë, duke rrëzuar për tokë një qeveri shtetërore edhe ashtu të dobët, ka vlerësuar “Foreign Policy” në analizën e saj.
Natyrisht, viteve të fundit Rusia vazhdimisht ka mbështetur pretendimet kroate për diskriminim dhe kërkesat e tyre për një entitet të tretë administrativ.
Dragan Çoviq, një ish-anëtar i Presidencës së Bosnjës dhe udhëheqësi aktual i partisë politike nacionaliste të Bashkimit Demokratik Kroat, vazhdon të gjykojë zyrtarë rusë, të cilët kanë mbështetur prej kohësh krijimin e një njësie të tretë dhe kanë kundërshtuar anëtarësimin e Bosnjës në NATO.
“Këto çështje u nxehën edhe më shumë kohët e fundit, kur u shfaq një dokument i njohur si ‘Balkan non-paper’. Dokumenti, i cili dyshohet të ketë origjinën nga zyra e kryeministrit slloven Janez Jansha - një tjetër aleat i ngushtë i Rusisë - tregon më tej makinacionet e huaja për të rishikuar kufijtë administrativë të Bosnjës përgjatë vijave etnike, së bashku me Ballkanin më gjerë. Letra misterioze sugjeron që Republika Serbe të shkëputet nga Bosnja, që Kosova dhe Shqipëria të bashkohen dhe që Kosova dhe Serbia të nënshkruajnë një marrëveshje për shkëmbim territorial”, shkruan revista e njohur amerikane.
Përfshirja e SHBA-së
Përkundër shembujve flagrantë të ndërhyrjes ruse dhe raportit të fundit të Departamentit amerikan të Shtetit që vë në pah operacionet malinje të Rusisë në Bosnjë, Johann Sattler, ambasadori i BE-së në Bosnjë, së fundmi deklaroi se nuk kishte vërejtur rritje të ndikimit rus në Bosnjë. Ish-ministri gjerman i Bujqësisë, Christian Schmidt, sapo është zgjedhur për të udhëhequr Zyrën e Përfaqësuesit të Lartë (OHR), organ ky ndërkombëtar që mbikëqyr zbatimin e Marrëveshjes së paqes që i dha fund luftës së Bosnjës. Nëse Schmidt dështon, Rusia do ta duartrokasë.
Dhe në të njëjtën kohë, vlerëson revista amerikane, injorimi i problemit do ta pezmatojë edhe më shumë atë. Nga ana e Washingtonit duhet veçanërisht të kihet kujdes nga përpjekjet e Çoviqit dhe Dodikut, të cilët kanë kërcënuar të mos marrin pjesë në zgjedhjet e ardhshme pa reformën zgjedhore për pëlqimin e tyre, për të delegjitimuar demokracinë.
Çoviqi dhe Dodiku kanë instrumentalizuar një vendim të diskutueshëm të vitit 2016 nga Gjykata Kushtetuese e vendit që bëri thirrje për ndryshime në Ligjin zgjedhor të federatës që rregullon mënyrën se si Dhoma e Lartë e Parlamentit të Bosnjës zgjidhet nga 10 kantonet e saj. Gjykata përcaktoi se përfaqësimi aktual i boshnjakëve, kroatëve dhe serbëve të zgjedhur ishte “në kundërshtim” me parimin e barazisë, të përfshirë në Kushtetutën e Bosnjës.
Ky vendim erdhi pas gjykimit Sejdiq-Finci të vitit 2009 të dhënë nga Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, e cila zbuloi se Kushtetuta diskriminon qytetarët që nuk janë anëtarë të grupeve etnike me shumicë (boshnjake, serbe ose kroate), duke ua ndaluar atyre që të synojnë postet më të larta, siç janë Presidenca ose Qeveria.
“Në këtë kontekst, komunikimi i parë i sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken, me Qeverinë boshnjake preku edhe çështjen e reformave kushtetuese, përfshirë agjendën ekonomike dhe antikorrupsion për të cilën administrata e presidentit, Joe Biden, është zotuar të punojë në partneritet me Qeverinë e Bosnjës. Se çfarë do të realizojë ky angazhim modest mbetet të shihet”, thuhet në analizën e “Foreign Policy”.
Vendimi i Gjykatës së BE-së kërkon ndryshime kushtetuese dhe çfarëdo që amerikanët po ofrojnë, siç këshillohet nga Blinken në një letër të marsit drejtuar Presidencës boshnjake, mund të luhet nga nacionalistët që rezultojnë në një Bosnje më pak demokratike, me opsione të tilla si zgjedhja indirekte e Presidencës triumvirate nga brenda Parlamentit, duke çimentuar fuqinë e partive politike nacionaliste.
Përvoja e Bidenit
Presidenti Biden, i cili ka përvojë të konsiderueshme në Ballkan që prej viteve ’90, duhet të shtyjë pjesën tjetër të administratës së tij që të marrë edhe një herë mantelin e mbështetjes së demokracisë në Ballkanin Perëndimor.
“Së pari, duke u mbështetur në qëndrimin e deklaruar për Bosnjën në ndjekjen e ‘reformave që do t'i mundësojnë asaj të prosperojë dhe të sigurojë statusin e kandidatit të BE-së, Shtetet e Bashkuara duhet të vazhdojnë përpjekjet për ta avancuar me shpejtësi anëtarësimin e vendit në NATO’. Bosnja dhe NATO-ja kanë demonstruar tashmë sukses në një sërë iniciativash, duke përfshirë stërvitje të përbashkëta ushtarake”, vlerëson “Foreign Policy” rreth marrëdhënies së Bosnjës me NATO-n.
Së dyti, SHBA-ja dhe BE-ja duhet të hetojnë bashkërisht ndërhyrjen e drejtpërdrejtë dhe indirekte ruse, duke ia tërhequr vërejtjen vendit për veprimet e saj dhe duke i mbështetur përpjekjet e Bosnjës për të ruajtur sovranitetin karshi forcave armiqësore.
Së treti, “Foreign Policy” vlerëson se takimi i ardhshëm i G7-s në qershor duhet të përdoret si një mundësi për takime anësore midis SHBA-së, Gjermanisë dhe BE-së për të filluar diskutimet mbi një strategji të avancimit të demokracisë në Bosnjë, nëpërmjet kujdesit të OHR-së.
Roli i zëvendës-përfaqësuesit të lartë plotësohet nga amerikanët dhe kjo është një kohë e mirë për të sjellë staf të ri për të përparuar çdo strategji të miratuar.
Shtetet e Bashkuara dhe Gjermania duhet të mbajnë kontakte të ngushta dhe mund të shfrytëzojnë Samitin e planifikuar të Bidenit për demokraci si një platformë për diskutim publik mbi këtë strategji dhe proces plotësisht të brumosur.
“BE-ja në veçanti duhet të trajtojë haptazi thashethemet e Qeverisë sllovene për të rishikuar kufijtë administrativë të Bosnjës dhe, në pritje të rezultateve të hetimit të saj, të vërë në pikëpyetje Presidencën në rotacion të Sllovenisë që nis më 1 korrik”, shkruan “Foreign Policy”.
Bosnja nuk ka nevojë të kthehet në kaosin që e përjetoi në vitet 1990 dhe fuqitë perëndimore kanë hapa të qartë për ta ruajtur Bosnjën nga një kthim i tillë.
Teksa shteti boshnjak punon për të miratuar reformat e nevojshme, si dhe për të hyrë në NATO dhe BE, përpjekja e Rusisë për të bërë strukturën e saj sociale përgjigjet më së miri duke dyfishuar tendencat më pozitive, pro demokracisë në vend. Dështimi për të vepruar, siç po bën aktualisht BE-ja, nxit vetëm trazira. \ Analizë e “Foreign Policy”
Përgatiti: Gent Mehmeti