Myslimanët në mbarë botën kanë festuar Fitër Bajramin me thirrjet për paqe për të gjithë njerëzimin. Megjithatë, ndikimi i pandemisë dhe luftës në Ukrainë në ekonominë botërore ka zbehur festën. E në vende si Bosnjë-Hercegovina, edhe në ditë feste është theksuar ndikimi i krizës politike në shtetin që po jeton në paqe të brishtë
Myslimanët në mbarë botën kanë festuar Bajramin, por edhe në ditë feste kanë kujtuar sfidat ekonomike e politike me të cilat përballen përditë
Mijëra besimtarë myslimanë u falën në xhaminë Aja Sofia në Stamboll të hënën për të kremtuar Fitër Bajramin me lutjet e përbashkëta.
Besimtarët mbushën ndërtesën e shekullit të 6-të dhe sheshin jashtë për faljen e sabahut dhe Fitër Bajramit.
Gati dy vjet më parë, presidenti turk, Rexhep Tajip Erdogan, e ktheu Aja Sofinë - katedralen ikonike të epokës bizantine të qytetit që u shndërrua në një xhami përpara se të bëhej muze - përsëri në shtëpi kulti islamik.
Festë pa masa pandemie
Shumë myslimanë ishin të pranishëm për ta kremtuar Bajramin përpara Aja Sofijës.
“Pasi jemi mësuar me kufizimet e COVID-19 për dy vjet me radhë, është shumë e këndshme të lutesh me këta vëllezër në këtë shesh. E dini, Aja Sofia ka qenë e mbyllur për adhurim për 87 vjet. Falë Zotit, u rihap. Falja e namazit me gjithë besimtarët më bën shumë të lumtur. Falënderojmë Zotin”, ka thënë Eyup Ozturk, besimtar mysliman.
Këtë vit, myslimanët anembanë botës po kremtojnë Fitër Bajramin – i shënuar zakonisht me lutje të përbashkëta, tubime festive rreth vakteve festive dhe veshjeve të reja – nën hijen e rritjes së çmimeve globale të ushqimeve dhe ndikimit të luftës në Ukrainë.
Megjithatë, shumë prej tyre janë të vendosur që ta festojnë Bajramin në mes të lehtësimit të kufizimeve të koronavirusit në vendet e tyre, ndërsa, për të tjerët, festimet janë më të zbehta për shkak të konfliktit dhe vështirësive ekonomike.
Festë ka pasur edhe në Bosnjë-Hercegovinë, që po përballet me sfida ekonomike e tensione politike. Republika Sërpska vazhdimisht kërcënon me ndarje nga federata dhe me bashkim me Serbinë fqinje. Banjalluka tani po bojkoton reformën në drejtësi, duke marrë hapa për krijim të sistemit të pavarur paralel pavarësisht sanksioneve që Shtetet e Bashkuara i kanë vënë liderit të serbëve të Bosnjës, MIlorad Dodik.
“Pas agjërimit të muajit të Ramazanit jemi të lumtur. Ne gëzojmë të mirat e Zotit dhe ditën e parë të Bajramit. Bajrami është kohë gëzimi, kënaqësie, bukuri e jetës, solidariteti dhe respekti i ndërsjellë. kalojmë me familjet, duke i lutur Zotit që të na njohë agjërimin tonë të Ramazanit dhe të gjitha veprat tona të mira me shpresën se të gjithë do të bëhemi njerëz më të mirë”, ka theksuar Rushid Nurkoviq, banor i Sarajevës. “Gjatë ditëve të Bajramit vizitojmë fqinjët dhe të afërmit tanë për të shijuar të gjitha gëzimet e festës së bashku”.
Mesazhi i paqes
Kryeimami Husein Kavazoviq drejtoi lutjet në xhaminë Gazi Husrev-beg në Sarajevë, ku besimtarët mbushën xhaminë, oborrin dhe rrugët ngjitur.
Pas lutjeve të mëngjesit, boshnjakët myslimanë, të cilët përbëjnë rreth gjysmën e popullsisë së Bosnjës prej rreth 3.5 milionë banorësh, tradicionalisht vizitojnë familjet e tyre dhe varret e të afërmve dhe miqve.
“Bajrami është për të gjithë njerëzimin, festë e mirësisë, festë e mirëqenies dhe shpresojmë që me festën e Bajramit kudo në botë të arrihet paqja, të arrihet prosperiteti, jo vetëm për myslimanët, por për çdo qenie njerëzore në këtë botë”, ka theksuar Mirza Hajriq, banor i Sarajevës.
“Ne kemi nevojë për të, situata është e tmerrshme kudo, dhe veçanërisht për myslimanët, myslimanët në Bosnjë, në Sarajevë prej nga vij unë, ku ju dërgoj këtë mesazh të gjithëve: Zoti e bekoftë Bajramin për të gjithë myslimanët në botë dhe paqe për të gjithë në planet”.
Edhe egjiptianët festuan të hënën fundin e muajit të shenjtë të Ramazanit. Lutjet filluan herët në mëngjes në xhamitë e mbarë vendit.
Presidenti egjiptian, Abdel-Fattah el-Sissi, mori pjesë në lutjet në xhaminë Mosheer Tantaëy në Kajro.
Ai akuzohet se po udhëheq vendin me grusht të hekurt. Ai mori pushtetin vetëm pas rrëzimit të ish-presidentit të zgjedhur të Vëllazërisë Myslimane, Mohamed Morsi, që nuk kishte mbështetjen e ushtrisë egjiptiane që vazhdimisht përzihet në qeverisjen e vendit.