Një konflikt i shkallës së plotë në Evropë më “nuk është vetëm fantazi” dhe evropianët duhet të gjejnë mënyra për t’u përgatitur financiarisht për një luftë potenciale më të gjerë në kontinent, ka paralajmëruar të martën Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, transmeton “Euroactiv”.
“Lufta sigurisht që po afrohet rreth nesh...dhe një luftë konvencionale e intensitetit të lartë në Evropë më nuk është fantazi”, ka thënë Borrell në një fjalim në një forum ekonomik në Bruksel.
Borrell ka thënë se Rusia po e kërcënon Evropën nëpërmjet luftës në Ukrainë dhe me sulmet hibride ndaj vendeve anëtare të BE-së.
“Lufta nuk do të fillojë nesër, por nuk mund ta mohojmë realitetin”, ka thënë Borrell.
Komentet e tij vijnë pasi disa shefa ushtarakë evropianë kanë lëshuar kohëve të fundit paralajmërime se Rusia mund të përpiqet ta minojë NATO-n në dekadën e ardhshme.
Që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës në vitin 2022, evropianët kanë nisur t’i rrisin shpenzimet në mbrojtje dhe kanë shtuar planet për ta rritur kapacitetin e tyre të prodhimeve në mbrojtje.
“Shtetet anëtare të BE-së krijuan një Agjenci Evropiane të Mbrojtjes, por nuk e financuan atë”, ka thënë Borrell.
Duke pasur parasysh se situata e sigurisë në Evropë është “krizë ekzistenciale”, Borrell ka vënë në dukje mungesën e urgjencës në gjetje të mënyrave të reja për t’i rritur investimet në mbrojtje.
“Ne kemi nevojë për një mjet të ri financimi ndërqeveritar krahasueshëm me atë që krijuam gjatë krizës financiare në eurozonë”, ka thënë Borrell.
Borrell po ashtu ka trajtuar frikën në rritje në mesin evropianëve për kthimin e mundshëm të Donald Trumpit në postin e presidentit të SHBA-së.
Trump ka kërcënuar se nuk do t’i mbrojë aleatët e NATO-s në Evropë që nuk kanë shpenzuar mjaftueshëm për mbrojtje.
“Ombrella e SHBA-së, në të cilën jemi mbështetur që nga Lufta e Ftohtë, mund të mos jetë e hapur gjatë gjithë kohës. Ndoshta, në varësi të asaj se kush është në pushtet Washington, ne nuk mund të mbështetemi te Amerika për të na mbrojtur. Brenda një aleance, prioritetet për anëtarët individualë mund të ndryshojnë”, ka thënë ai.