Rusia po përdor gjithnjë e më tepër “bomba rrëshqitëse” – të lira, por shumë shkatërruese – për ta çuar ofensivën e saj në Ukrainë para. Më shumë se 200 prej tyre janë përdorur në vetëm një javë, duke e goditur rëndë qytetin verior Vovchansk, gjatë avancimit aktual ndërkufitar të Rusisë pranë Kharkivit.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka thënë se 3000 bomba të tilla janë hedhur në Ukrainë vetëm gjatë marsit.
Shefi i policisë së Vovchanskut, Oleksii Kharkivsky, e ka parë më nga afër ndikimin e “bombave rrëshqitëse”.
“Nuk ka fjalë për ta përshkruar shkatërrimin. Arrin atje dhe sheh njerëz të shtrirë përtokë, të gjymtuar”, ka thënë Kharkivsky.
Përdorimi masiv i “bombave rrëshqitëse” nga Rusia është një zhvillim i fundit në luftën në Ukrainë, por që ka qenë shkatërrues për trupat ukrainase në muajt e fundit.
Këto bomba ndërtohen duke shtuar krahë të palosshëm dhe navigim satelitor në bombat e vjetra sovjetike. Ato janë të lira, por shkatërruese.
Një raport i kohëve të fundit i Qendrës për Analiza të Politikave Evropiane (CEPA) ka thënë se bombat rrëshqitëse ishin vendimtare në pushtimin e qytetit lindor Avdiivka në shkurt.
Forcat ruse tash po përdorin këto bomba dhe po synojnë të kapin edhe qytetin verior Kharkiv. Ukraina deri më tash ka pasur telashe për t’iu kundërvër atyre.