Botë

Bombat dhe pengmarrjet në burgje përditshmëri e Ekuadorit

Autoritetet ekuadoriane ia atribuojnë rritjes së dhunës në vend gjatë tre vjetëve të fundit një vakumi pushteti të shkaktuar nga vrasja në vitin 2020 e Jorge Zambranos i njohur me nofkën “Rasquiña” ose “JL”, lideri i bandës lokale Los Choneros. Anëtarët kryejnë vrasje me porosi, drejtojnë operacione zhvatjeje, lëvizin dhe shesin drogë dhe sundojnë burgjet

Situata e brishtë e sigurisë e Ekuadorit është tronditur edhe më të enjten nga seria e bombave me makina dhe marrja peng e më shumë se 50 zyrtarëve të zbatimit të ligjit brenda burgjeve të ndryshme, vetëm disa javë pasi vendi u trondit nga vrasja e një kandidati për president.

Policia Kombëtare e Ekuadorit nuk raportoi të lënduar nga katër shpërthimet në Quito, kryeqytet, dhe në një provincë që kufizohet me Perunë, teksa ministri i Brendshëm, Juan Zapata, ka thënë se asnjë nga zyrtarët e zbatimit të ligjit të marrë peng në gjashtë burgje të ndryshme nuk ishte plagosur.

Autoritetet thanë se veprimet e pacipa ishin përgjigjja e grupeve kriminale ndaj zhvendosjes së të burgosurve të ndryshëm dhe masave të tjera të marra nga sistemi i korrigjimeve të vendit. Krimet ndodhën tri javë pas vrasjes së kandidatit presidencial, Fernando Villavicencio.

Sistemi i burgjeve i njohur si Shërbimi Kombëtar për Vëmendjen ndaj Personave të Privuar nga Liria, vitet e fundit humbi kontrollin e burgjeve të mëdha, të cilat kanë qenë epiqendër e trazirave të dhunshme që rezultuan në dhjetëra të vrarë. Është dashur të transferoheshin të burgosurit për të menaxhuar mosmarrëveshjet e lidhura me bandat.

Në Quito bomba e parë shpërtheu në një zonë ku ishte vendosur më parë një zyrë e sistemit korrektues të vendit. Shpërthimi i dytë në kryeqytet ndodhi jashtë vendndodhjes aktuale të agjencisë.

Gjenerali i Policisë Kombëtare të Ekuadorit, Pablo Ramírez, drejtori kombëtar i hetimeve kundër drogës, u tha gazetarëve se policia gjeti bombola gazi, karburant, siguresa dhe blloqe dinamiti midis mbeturinave të skenave të krimit në Quito, ku shpërtheu makina e parë, një makinë e vogël dhe e dyta ishte një kamionçinë.

Autoritetet thanë se bombolat e gazit u përdorën në shpërthimet në komunitetet El Oro të Casacay dhe Bella India.

Reparti i zjarrfikësve në qytetin e Cuencas, ku ndodhet një nga burgjet në të cilin po mbahen peng zyrtarët e zbatimit të ligjit, raportoi se një mjet shpërthyes shpërtheu të enjten në mbrëmje. Departamenti nuk dha detaje shtesë përveçse shpërthimi dëmtoi një makinë.

Zapata ka treguar se shtatë nga pengjet e burgut janë policë dhe pjesa tjetër janë roja burgu. Në një video të shpërndarë në mediat sociale, të cilën Zapata e identifikoi si autentike, një polic që e identifikon veten si toger Alonso Quintana u kërkon autoriteteve “të mos marrin vendime që shkelin të drejtat e personave të privuar nga liria”. Ai shihet i rrethuar nga një grup policësh dhe punonjësish korrektues dhe thotë se rreth 30 persona mbahen nga të burgosurit.

Autoritetet ekuadoriane ia atribuojnë rritjes së dhunës në vend gjatë tre vjetëve të fundit një vakumi pushteti të shkaktuar nga vrasja në vitin 2020 e Jorge Zambranos i njohur me nofkën “Rasquiña” ose “JL”, lideri i bandës lokale Los Choneros. Anëtarët kryejnë vrasje me porosi, drejtojnë operacione zhvatjeje, lëvizin dhe shesin drogë dhe sundojnë burgjet.

Los Choneros dhe grupe të ngjashme të lidhura me kartelet meksikane dhe kolumbiane po luftojnë për rrugët e trafikut të drogës dhe kontrollin e territorit, duke përfshirë brenda objekteve të paraburgimit, ku të paktën 400 të burgosur kanë vdekur që nga viti 2021.

Villavicencio, kandidati presidencial, kishte një qëndrim jashtëzakonisht të ashpër ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit. Ai u vra më 9 gusht në fund të një mitingu politik në Quito, pavarësisht se kishte sigurim që përfshinte policë dhe truproja.

Ai kishte akuzuar Los Chonerosin dhe liderin e tij aktual të burgosur Adolfo Macías “Fito”, të cilin ai e lidhi me kartelin Sinaloa të Meksikës, se e kërcënuan atë dhe ekipin e tij të fushatës disa ditë përpara vrasjes.

Sekretari i Sigurisë së Ekuadorit, Wagner Bravo, ka thënë për radiostacionin FMundo se gjashtë të burgosur që u zhvendosën mund të kenë qenë të përfshirë në vrasjen e Villavicencios.

Kryetari i bashkisë së Quito, Pabel Muñoz, i ka thënë stacionit televiziv Teleamazonas se ai shpresonte që “drejtësia të vepronte shpejt, me ndershmëri dhe me forcë”.

“Ne nuk do të dorëzohemi. Paqja, qetësia dhe siguria mbizotërofshin mes qytetarëve”, ka theksuar Muñoz.

Policia Kombëtare e vendit numëroi 3.568 vdekje të dhunshme në gjashtë muajt e parë të këtij viti, shumë më tepër se 2.042 të raportuara gjatë së njëjtës periudhë në vitin 2022. Ai vit përfundoi me 4.600 vdekje të dhunshme, më e larta e vendit në histori dhe dyfishi i totalit në 2021.

Qyteti port i Guayaquil ka qenë epiqendra e dhunës, por Esmeraldas, qytet bregdetar i Paqësorit, konsiderohet gjithashtu një nga më të rrezikshmit në vend. Atje, gjashtë automjete qeveritare u dogjën në fillim të kësaj jave, sipas autoriteteve.

Përktheu: Blerta Haxhiu