Botë

Bombardimet izraelite në Gaza mund t’i vrasin pengjet, paralajmëron Hamasi

Gaza

Foto: Associated Press

Hamasi ka paralajmëruar të mërkurën se pengjet mund të vriten nëse Izraeli përpiqet t'i marrë me forcë dhe po ashtu nëse sulmet ajrore vazhdojnë në Rripin e Gazës, raporton Agence France-Presse (AFP).

Grupi militant palestinez ka thënë në një deklaratë se "po bënte gjithçka që është e mundur për të mbajtur gjallë robërit e okupimit". 

“Bombardimet e rastësishme sioniste (izraelite) po rrezikojnë jetën e tyre. Sa herë që okupimi përpiqet t'i tërheqë robërit e tij me forcë, përfundon duke i kthyer ata në arkivole", thuhet në deklaratë. 

Ndërkohë qindra palestinezë kanë marrë pjesë të martën në protestën më të madhe kundër Hamasit në Gaza që nga fillimi i luftës me Izraelin, duke vërshuar rrugët dhe duke kërkuar që grupi të largohet.

Militantët e maskuar të Hamasit, disa të armatosur, kanë ndërhyrë dhe e kanë shpërndarë me forcë turmën.

Protestuesit kanë dalë rrugëve me brohoritjet “jashtë Hamasi”.

Mbështetësit e Hamasit ndërkohë e kanë mbrojtur grupin duke i akuzuar pjesëmarrësit në protestë si tradhtarë.