Botë

Blloku evropian rreshtohet në krah të Ukrainës

Samiti i BE-se

Të gjithë liderët evropianë, përveç kryeministrit hungarez, Viktor Orban, kanë votuar në favor të qëndrimit të bllokut evropian për mbështetje të palëkundur për pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës në samitin e mbajtur në Bruksel të enjten. Këtij samiti iu bashkëngjit përmes videolidhjes edhe presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, i cili bëri thirrje për unitet brenda bllokut dhe sanksione të reja kundër Rusisë

Liderët evropianë, përveç kryeministrit hungarez Viktor Orban, janë pajtuar njëzëri për të ofruar mbështetje të palëkundur për pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës gjatë samitit të mbajtur në Bruksel të enjten. Ata u shprehën po ashtu të gatshëm t’i vendosin sanksione të reja Rusisë pas bisedës me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, i cili u kyç përmes videolidhjes.
Shpërfaqja e unitetit u cungua nga refuzimi i Orbanit për të mbështetur tekstin e përbashkët të Bashkimit Evropian. Refuzimi i kryeministrit hungarez për të mbështetur Ukrainën nuk është diçka e pazakontë, pasi ai kishte vepruar në të njëjtën mënyrë dy javë më parë, në samitin e datës 6 mars, gjithashtu të mbajtur në Bruksel. 

Vetëbesimi në rritje i Orbanit në kuptimin e mosrreshtimit me Evropën sa i përket çështjes së Ukrainës, ngrit pikëpyetje për aftësinë e bllokut që të vendosë sanksione të reja apo të renovojë sanksionet ekzistuese.

Zelensky iu tha liderëve evropianë “që të mos e ulin presionin ndaj Rusisë në lidhje me luftën. Sanksionet duhet të mbesin, derisa Rusia të fillojë të tërhiqet nga toka jonë dhe të kompensojë plotësisht dëmet e shkaktuara nga agresioni i saj”. 

Në një referencë të nënkuptueshme për mungesën e mbështetjes nga Hungaria, lideri ukrainas ka shtuar se është “thjesht antievropiane kur një person bllokon vendimet që janë të rëndësishme për të gjithë kontinentin ose ato vendime që janë pajtuar paraprakisht”. 

Ndërkohë, ish-sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, i cili aktualisht shërben si ministër i Financave në Qeverinë e Norvegjisë, ka thënë se paqartësitë mbi angazhimin amerikan në Aleancën Veriatlantike nuk janë arsye për të “hequr dorë nga NATO-ja”, përkundrazi duhet të shërbejnë si motivim shtesë për Evropën dhe Kanadanë, në mënyrë që ato t’i rrisin shpenzimet në fushën e mbrojtjes.

“Ne duhet të bëjmë aq sa mundemi që të sigurohemi se NATO-ja vazhdon të qëndrojë një aleancë e fortë midis Amerikës Veriore dhe Evropës, e cila na ka mbajtur të sigurt për më shumë se 75 vjet. Ka pasur dallime dhe mosmarrëveshje në të kaluarën, por ne patëm arritur t’i tejkalojmë ato duke u pajtuar se jemi më të sigurt kur qëndrojmë të bashkuar”, ka thënë Stoltenberg nga Kopenhaga, pak para se Zelensky të mbërrinte në Norvegji të enjten.

“Unë nuk e përjashtoj mundësinë që SHBA-ja mund ta reduktojë kontributin e saj në raport me strukturat e NATO-s, në raport me forcat e NATO-s, por unë pres që Shtetet e Bashkuara të Amerikës të mbesin aleat i NATO-s”, ka shtuar ai.

Takimi në Bruksel u zhvillua dy ditë pas bisedës telefonike mes presidentit amerikan, Donald Trump dhe presidentit rus, Vladimir Putin, ku u arrit pajtim rreth armëpushimit të kufizuar 30-ditor mbi infrastrukturën energjetike në Ukrainë.