Botë

Blinkeni pritet të deklarojë se Izraeli nuk i ka shkelur kushtet e përdorimit të armëve amerikane

Antony Blinken

Antony Blinken

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken pritet të paraqesë një raport në Kongres të premten mbi sjelljen e Izraelit në Gaza, që nuk arrin të konkludojë se shteti ka shkelur kushtet për përdorimin e armëve amerikane, raporton Axios.

Raporti, duke cituar tre zyrtarë, thotë se Departamenti i Shtetit po shqyrtonte përdorimin e armëve nga Izraeli dhe gjashtë vende të tjera të përfshira në konflikte të ndryshme të armatosura.

Të martën, Reuters raportoi se administrata Biden kishte kaluar një afat të mërkurën për t'i raportuar Kongresit nëse Izraeli po shkel ligjin ndërkombëtar humanitar në Gaza.

Një memorandum i sigurisë kombëtare, NSM-20, i lëshuar nga presidenti Joe Biden në shkurt, kërkonte që departamenti t'i raportonte Kongresit deri më 8 maj se sa të besueshme janë garancitë e Izraelit se përdorimi i armëve amerikane nga ana e tij nuk shkel ligjin e SHBA-së apo atë ndërkombëtar.

Të martën, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Matthew Miller ka thënë në një konferencë për shtyp se raporti i NSM-20 nuk kishte përfunduar ende, por departamenti po punonte "shumë fort" për ta përfunduar atë.