Botë

Blinkeni me vizitë të paparalajmëruar në Kiev

Sekretari i Shtetit të SHBA-së, Antony Blinken, ka arritur në Kiev në një vizitë të paparalajmëruar të mërkurën, raporton agjencia AP.

Vizita e Blinkenit ndodhi vetëm disa orë pasi Rusia lansoi sulm me raketa në kryeqendër të Ukrainës.

Blinken në këtë vizitë do të njoftojë për pakon e re të ndihmës për Ukrainën, në vlerë 1 miliard dollar.

Një zyrtar i Departamentit të Shtetit ka thënë se vizita e Blinkenit në Ukrainë do të zgjasë dy ditë.

Ai më herët kishte vizituar Ukrainën në prill të vitit 2022 – së bashku me Sekretarin e Mbrojtjes, Lloyd Austin – dhe sërish në shtator të vitit 2022.

Me të arritur në Kiev, Blinken vendosi kurorë lulesh në varrezën Berkovetske për të nderuar ushtarët ukrainas që humbën jetën duke mbrojtur shtetin.

Ai pritet të takohet me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky, kryeministrin Denys Shmyhal dhe ministrin e Jashtëm, Dmytro Kuleba.