Botë

Blinkeni flet me Lavrovin në telefon, kërkon që Rusia t’i tërheqë trupat nga kufiri me Ukrainën

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, përmes një telefonate të zhvilluar të martën me homologun e tij rus, Sergei Lavror, ka kërkuar nga Rusia që të zbusë tensionet dhe të tërheqë trupat e saj nga kufijtë e Ukrainës, ka njoftuar Departamenti i Shtetit.

Blinken theksoi se “pushtimi i mëtejshëm i Ukrainës do të përballej me pasoja të shpejta dhe të rënda” dhe i kërkoi Rusisë të ndiqte një rrugë diplomatike, thuhet më tej në deklaratë.

Siç thuhet në deklaratë, Blinken e ka njoftuar Lavrovin se SHBA-ja dhe aleatët e saj ishin gati të ulen dhe të diskutojnë propozimet që të dyja palët kanë paraqitur në letrat e shkëmbyera për zgjidhjen e krizës.

Blinken i tha Lavrovit se diskutimet do të avancohen më së miri nga de-përshkallëzimi i forcave ushtarake të Rusisë në kufijtë e Ukrainës.

Nga DASH njoftojnë se një letër e dërguar të hënën nga Lavrov për Blinken dhe homologët në Evropë, nuk ishte përgjigja zyrtare e Rusisë ndaj pozicioneve që SHBA-ja dhe aleatët evropianë parashtruan në letrat drejtuar Moskës javën e kaluar.

“Ata janë ende duke punuar për përgjigjen e tyre zyrtare që duhet të nënshkruhet nga Presidenti Vladimir Putin”, ka thënë një zyrtar i Departamentit amerikan të Shtetit në kushte anonimiteti, raporton AFP.

Pasi të jepet kjo përgjigje, palët e ndryshme do të jenë në gjendje të flasin për hapat e ardhshëm në proces, shtoi më tej zyrtari.