Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, do të diskutojë për mbështetjen për Ukrainë gjatë bisedimeve në Paris javën e ardhshme me presidentin francez, Emmanuel Macron, ka njoftuar të mërkurën Departamenti i Shtetit.
Franca është ndër furnizuesit kryesorë ushtarakë të Ukrainës.
Kërkesa e presidentit Joe Biden për miliarda dollarë ndihmë të re ushtarake amerikane për Kievin mbahet në Dhomën e Përfaqësuesve, të udhëhequr nga Partia Republikane.
“Sekretari Blinken do të takohet me presidentin francez Macron për të diskutuar mbështetjen për Ukrainën, përpjekjet për të parandaluar përshkallëzimin e konfliktit në Gaza dhe një numër çështjesh të tjera të rëndësishme”, ka thënë para gazetarëve zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Matthew Miller.
Franca është shprehur pro armëpushimit të përhershëm midis Izraelit dhe Hamasit, ndërsa Shtetet e Bashkuara, aleati kryesor i Izraelit, kohët e fundit është pro miratimit të një rezolute të Këshillit të Sigurimit të OKB-së që bën thirrje për armëpushim gjatë muajit të Ramazanit.
Kjo do të jetë vizita e parë e Blinkenit në Francë në gati dy vjet, ndërsa Macroni zhvilloi vizitë shtetërore në Uashington në dhjetor të vitit 2022.
Pas Parisit, Blinkeni do të shkojë në Bruksel për bisedime midis ministrave të jashtëm të NATO-s përpara samitit të 75-vjetorit të aleancës në Uashington në korrik.
Blinkeni do të mbajë gjithashtu takim trepalësh në Bruksel me liderët e BE-së dhe kryeministrin armen, Nikol Pashinyan, i cili ka kërkuar të shkëputet nga aleanca historike e vendit të tij me Rusinë.
Kërkesa e Armenisë erdhi pas dështimit të Rusisë për të parandaluar Azerbajxhanin që të rimarrë rajonin e Nagorno-Karabakut nga rebelët etnikë armenë.