Sekretari amerikan i shtetit, Antony Blinken, ka thënë se SHBA-ja nuk është e përfshirë në asnjë operacion sulmues dhe se po vazhdon të punojë për depërshkallëzimin e situatës në Lindjen e Mesme.
Duke folur në një konferencë për media pas takimit të G7-ës në Kapri të Italisë, Blinkeni është pyetur nëse SHBA-ja ishte në dijeni se Izraeli do të sulmonte, duke refuzuar t’i përgjigjej pyetjes, raporton BBC.
Në përgjigje të një pyetjeje të dytë se si ai do ta karakterizonte gjendjen aktuale të marrëdhënieve SHBA-Izrael, Blinkeni ka thënë se "ne jemi të angazhuar rregullisht, pothuajse çdo ditë".
"Ne jemi të përkushtuar të ndihmojmë Izraelin të mbrohet dhe të marrim pjesë në mbrojtjen e tij, siç e patë vetëm disa ditë më pare”, ka deklaruar Blinken.
Ai ka shtuar se G7 e dënon sulmin Iranian ndaj Izraelit në fundjavën e shkuar.
“Dje, Shtetet e Bashkuara njoftuan sanksione shtesë ndaj Iranit që synojnë programet e UAV-ve, industrinë e çelikut, kompanitë që janë të lidhura me IRGC (Korpusin e Gardës Revolucionare Islamike), Ministrinë e Mbrojtjes dhe logjistikën e forcave të saj të armatosura. Deklarata e G7 e bën të qartë se vendet e G7 do të miratojnë sanksione shtesë ose masa të tjera në ditët në vijim”, është shprehur Blinkeni, duke theksuar se pavarësisht tensioneve Izrael-Iran, fokusi do të jetë te lufta në Gaza.