Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken, i cili po qëndron në Turqi për vizitë zyrtare, ka theksuar nevojën për të mbajtur nën kontroll Shtetin Islamik në Siri.
Ai për këtë ka diskutuar me ministrin e Jashtëm turk Hakan Fidan.
Blinken ka theksuar nevojën për përpjekje të vazhdueshme për të kundërshtuar çdo ringjallje të mundshme të Shtetit Islamik pas rënies së Bashar-al Asadit.
“Vendet tona punuan shumë dhe dhanë shumë gjatë viteve për të siguruar eliminimin ISIS-it, për të siguruar që kërcënimi të mos ngrihet përsëri dhe është e domosdoshme që ne të vazhdojmë me këto përpjekje”, tha Blinken, në një konferencë për media të mbajtur bashkë Fidanin, pas takimit që u zhvillua të premten në Ankara.
Bisedimet u fokusuan gjithashtu në një aspekt kritik të vendosjes së stabilitetit në Siri - përleshjet në veri të vendit midis forcave kurde të mbështetura nga SHBA-ja dhe rebelëve të mbështetur nga Turqia, raporton Reuters.
Pas takimit Fidan tha se “prioriteti i Turqisë në Siri është të sigurojë stabilitet sa më shpejt të jetë e mundur, të parandalojë terrorizmin të fitojë terren dhe të parandalojë Shtetin Islamik dhe Partinë Punëtore të Kurdistanit (PKK) që të dominojnë atje”.
“Ne diskutuam në detaje se çfarë mund të bëjmë për këto, cilat janë shqetësimet tona të përbashkëta dhe cilat duhet të jenë zgjidhjet tona të përbashkëta”, tha ai.
Aleatët e NATO-s, Uashingtoni dhe Ankaraja mbështetën rebelët sirianë gjatë luftës civile 13-vjeçare, por interesat e tyre u përplasën kur ishte fjala për një nga fraksionet rebele - Forcat Demokratike Siriane (SDF), të udhëhequra nga kurdët.
SDF-ja është aleati kryesor në një koalicion amerikan kundër militantëve të Shtetit Islamik. Ajo udhëhiqet nga Njësitë e Mbrojtjes së Popullit (YPG), të cilën Ankaraja e sheh si një zgjatim të militantëve të Partisë Punëtore të Kurdistanit (PKK) që kanë luftuar kundër shtetit turk për 40 vjet.