Botë

Blinken: Lëvizja e njëanshme e Kinës në Tajvan do të godiste çdo vend në tokë

Antony Blinken

Antony Blinken

Çdo përpjekje e Kinës për të ndryshuar me forcë status quo-në me Tajvanin do të godiste fjalë për fjalë çdo vend në tokë, ka paralajmëruar të mërkurën Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken.

Në një intervistë dhënë Euronewsit, Blinkeni e ka bërë të qartë se vendi i tij nuk kërkon konfrontim të drejtpërdrejtë me Pekinin.

Kina e konsideron Tajvanin një provincë të shkëputur dhe është zotuar të ribashkohet me ishullin demokratik, një qëllim që vendet perëndimore e interpretojnë si një gjuhë të koduar për një ndërhyrje të mundshme ushtarake në shkallë të plotë në të ardhmen.

Kjo frikë është shtuar pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia, që ka shkaktuar një përkeqësim të dukshëm në marrëdhëniet midis Kinës dhe Perëndimit.

Pas një takimi të mërkurën me ministrat e punëve të jashtme të NATO-s në Bruksel, Antony Blinken paralajmëroi për pasoja të mëdha dhe jashtëzakonisht të dëmshme nëse Kina bën një lëvizje të njëanshme kundër Tajvanit.

"E kam dëgjuar këtë në bisedat me shumë nga aleatët tanë të NATO-s si dhe partnerët në Azi. Ekziston shqetësimi se, nëse do të kishte një krizë si rezultat i veprimeve të Kinës mbi Tajvanin, kjo do të kishte pasoja për pothuajse çdo vend në tokë. 50% e trafikut tregtar global kalon nëpër ngushticën e Tajvanit çdo ditë. 70% e gjysmëpërçuesve që na duhen për telefonat tanë inteligjentë, për pjatalarëse, për makinat tona, ata janë prodhuar në Tajvan. Nëse do të kishte një lloj krize si rezultat i diçkaje që bëri Kina, kjo do të kishte efekte tmerrësisht shkatërruese në ekonominë globale, kjo është arsyeja pse vendet në mbarë botën shikojnë nga të gjithë që të sillen dhe të veprojnë me përgjegjësi”, është shprehur ai.

Komentet e Blinkenit u bënë ndërsa presidenti tajvanez, Tsai Ing-wen, u takua me kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së, Kevin McCarthy, një takim i profilit të lartë që shkaktoi kërcënime verbale nga Pekini.

Megjithë tensionet në rritje midis dy superfuqive, Sekretari i Shtetit këmbënguli se Uashingtoni nuk do të ndryshonte politikën e kahershme.

"Ne kemi qenë shumë të qartë se nuk duam, nuk kërkojmë një konflikt. Ne nuk po përpiqemi të frenojmë Kinën. Ne, përkundrazi, duam të ruajmë paqen, stabilitetin, të krijojmë mundësi. Kur bëhet fjalë për Tajvanin, politika jonë ka qenë e qëndrueshme për dekada. Çdo dallim midis Kinës kontinentale dhe Tajvanit duhet të zgjidhet në mënyrë paqësore. Asnjëra palë nuk duhet të bëjë asgjë për të prishur status quo-në dhe as të ndërmarrë ndonjë veprim të njëanshëm që do ta bënte këtë”, ka theksuar ai.