Botë

“Bitcoini” i fshehur në shkurre

Mihja e kriptovalutave - Bitcoin ne Zambia

Mihja e kriptomonedhës së famshme “Bitcoin” po shërben për gjenerimin e të ardhurave dhe furnizimin me rrymë elektrike për komunitetet lokale në Zambia. Gërshetimi i “minierës” ku nxirret “Bitcoini” dhe hidrocentralet, sado gërshetim i pazakontë të jetë, ka funksionuar në përpikëri në kuptimin e realizimit të interesave biznesore për kompaninë “Gridless” të Phillip Walton. Në këtë drejtim kanë përfituar po ashtu edhe komunitetet lokale, të cilat po e shijojnë furnizimin e rregullt me energji elektrike

Ulërima e Zambezit është shurdhuese, ndërsa miliona litra ujë bien mbi shkëmbinj dhe rrokullisen poshtë përrenjve. Por ka një zhurmë tjetër përtej pemëve të shkurres zambiane – shushurima e pagabueshme e të ashtuquajturës “minierë” e “Bitcoinit”. 

“Është zhurma e parasë!” - ka thënë i buzëqeshur Phillip Walton derisa ai shikon me kujdes kontejnerin e transportit detar me 120 kompjuterë që procesojnë sasi të mëdha të informacionit nëpërmjet llogaritjeve komplekse që verifikojnë gjenerimin e “Bitcoinit”. 

Në këmbim, ata automatikisht shpërblehen me “Bitcoin” nga rrjeti. 

Ne jemi në pjesën e largët veriperëndimore të Zambias, afër kufirit me Republikën Demokratike të Kongos, dhe prej të gjitha “minierave” të “Bitcoinit” që kam vizituar – kjo është më e çuditshmja. 
Pajisjet elektronike dhe ato të ujit zakonisht nuk shkojnë bashkë me njëra-tjetrën, por është pikërisht afërsia e lumit që tërheq “Bitcoinat” këtu. 

“Miniera” e Philipit është e lidhur drejtpërdrejt me një hidrocentral që drejton pjesë të rrjedhës së Zambezit, përmes turbinave të mëdha, për të prodhuar energji elektrike të vazhdueshme dhe të pastër.

Ç’është më e rëndësishmja për mihjen e “Bitcoinit” – ka kosto të lirë

Ka qenë aq e lirë saqë kishte interes biznesor për kompaninë e Philipit “Gridless” me seli në Kenia, të transportonte një kontejner plot me kompjuterë delikatë për mihjen e “Bitcoinit” përgjatë rrugëve të ngushta dhe me gropa, për 14 orë nga qyteti më i afërt, për t’u vendosur këtu.

Çdo makinë gjeneron rreth 5 dollarë në ditë. Më shumë nëse çmimi i monedhave është i lartë, më pak nëse bie.

Herë pas here Philip ia hedh një sy orës së tij të mençur – ekrani kryesor tregon vijën e luhatshme të vlerës së “Bitcoinit” në dollarë.

Aktualisht vetëm një monedhë e “Bitcoinit” vlen rreth 83 mijë dollarë, por Philip ka thënë se ata mund të nxjerrin fitim edhe kur vlera e “Bitcoinit” bie, falë energjisë së lirë në këtë vend dhe partneritetit me kompaninë e energjisë.

“Ne e kuptuam se për të pasur ekonomi më të mirë në mihjen e ‘Bitcoinit’ duhej të bashkëpunonim me kompaninë e energjisë këtu dhe t’u jepnim atyre një pjesë të të ardhurave. Arsyeja pse jemi të gatshëm të vijmë deri këtu, në vend kaq të largët, është sepse kjo na mundëson të sigurojmë energji më të lirë”, ka thënë ai.

Përdorimi i hidroenergjisë për mihje të “Bitcoinit”

Hidrocentrali “Zengamina” është i madh, por teknikisht është minirrjet – një ishull i pavarur i energjisë për komunitetin lokal.

U ndërtua në fillim të viteve 2000, falë 3 milionë dollarëve të mbledhur nga donacionet bamirëse.
Britaniko-zambiani, Daniel Rea, e drejton vendin, pasi familja e tij misionare udhëhoqi projektin e ndërtimit, kryesisht për të furnizuar me energji spitalin lokal.

Tani hidrocentrali siguron energji për rreth 15.000 njerëz në zonën lokale, por projekti nuk ka arritur t’i mbulojë shpenzimet për shkak të përdorimit të ngadaltë nga komuniteti.

Lejimi i mihjes të “Bitcoinit” ka ndihmuar operacionet e tyre, si dhe ka sjellë transformim evident për biznesin.

“Çdo ditë po humbnim më shumë se gjysmën e energjisë që mund të prodhonim, që do të thotë se nuk po fitonim mjaftueshëm për t’i mbuluar shpenzimet tona operative. Na duhej një konsumator i madh i energjisë në zonë dhe aty hyri në lojë partneriteti i jashtëzakonshëm me ‘Gridless’”, ka deklaruar Daniel.

Mihja e “Bitcoinit” tani përbën rreth 30% të të ardhurave të hidrocentralit, duke i lejuar ata të mbajnë çmimet e ulëta për popullatën lokale.

“Bitcoini” dhe ekonomia e tij sigurisht se nuk janë në mendjen e banorëve të Zengaminës.

Qyteti ndodhet disa kilometra larg hidrocentralit dhe përbëhet kryesisht nga disa dhjetëra ndërtesa të vogla të shpërndara rreth një kryqëzimi.

Vetëm një dyqan ka frigorifer dhe grupe fëmijësh mblidhen rreth kompjuterit të përbashkët duke përzgjedhur këngë për t’i lëshuar me zë të lartë, duke bërë që të rriturit të rrudhin fytyrën.

Megjithëse hidrocentrali u vu në funksion në vitin 2007, u deshën edhe disa vjet për ta lidhur me qytetin lokal dhe më pas edhe më shumë kohë për t’i lidhur shtëpitë dhe bizneset individuale.

Kështu që disa njerëz, si berberi Damian, ende po shijojnë risinë e të qenit të lidhur me rrjetin elektrik vetëm një vit e gjysmë më parë.

“Para se të kisha energji, nuk kisha asgjë dhe nuk mund të bëja asgjë. Kur u lidha me energjinë elektrike, bleva gjithçka përnjëherë”, ka thënë Damian.

Ai nuk po bën shaka. Në mbrëmje lokali i tij i vogël ku ushtron zejen e berberit shndërrohet në pikë të ndritshme, me një televizor që luan videoklipe muzikore, drita festive të varura kudo dhe zhurmën e makinës së tij të qethjes. Si fluturat pas dritës, të rinjtë mblidhen në dyqanin e tij si të ishte qendër rinore.

“Furnizimi me energji më ka ndryshuar jetën”, ka shtuar ai i buzëqeshur. 
“Të ardhurat që po fitoj tani nga zanati i berberit më ndihmojnë të paguaj përsëri tarifat shkollore”.

Përftimi i komunitetit lokal

Përdorimi i energjisë elektrike për Damianin është kryesisht vendim biznesor. Në shtëpi ai ndan një llambë të vetme mes dy dhomave që përbëjnë shtëpinë e tij të vogël.

Në pjesën tjetër të qytetit, motrat Tumba dhe Lucy Machayi ulen pranë kryqëzimit duke parë botën të kalojë.

Si shumë të rinj, ato janë të ngjitura pas telefonave të tyre.

“Para se qyteti të kishte energji, ishte thjesht një shkurre e madhe”, ka thënë Lucy.

Vite më parë sasinë e pakët të energjisë elektrike e merrnin nga panele të vogla diellore.

“Asnjë frigorifer, asnjë televizor, asnjë rrjet telefonik”, ka shtuar Tumba.

Sipas Lucyt, “energjia elektrike i ka ndryshuar plotësisht jetët e njerëzve këtu”.

“Tani mund t’i mbushim telefonat, kemi rrymë. Mund të komunikojmë me njëri-tjetrin”.

Jo shumë njerëz këtu e dinë apo u intereson për mihjen e “Bitcoinit” që ka ndihmuar hidrocentralin të vazhdojë funksionimin e tij.

Por së shpejti ata do ta shohin sërish atë kontejner duke u tundur teksa kalon përmes qytetit në rrugën drejt një lokacioni të ri.

Hidrocentrali Zengamina ka siguruar investim të madh për të zgjeruar shërbimin në më shumë fshatra dhe për t’u lidhur me rrjetin kombëtar të energjisë.

Së shpejti energjia e tepërt, që më parë përdorej për mihjen, do të shitet në rrjetin kombëtar dhe mihja e “Bitcoinit” nuk do të jenë më fitimprurëse në Zengamina.

Philip dhe ekipi i tij e presin këtë me qetësi dhe theksojnë se është lajm i mirë. Ata do të kenë pasur disa vjet të suksesshëm këtu dhe, në fund të fundit, janë të lumtur që ndihmuan Zengaminën – dhe sigurisht që gjeneruan fitim të kënaqshëm me “Bitcoin”.

Kompania thotë se ka shumë vende me energji të pashfrytëzuar ku mund të vendosin pajisjet e tyre të mihjes së “Bitcoinit”.

“Gridless” tashmë ka gjashtë vende të tilla në tri shtete të ndryshme në Afrikë.

Në veri të Zengaminës, një tjetër “minierë” e “Bitcoinit” përdor energjinë e tepërt prej hidrocentralit të administruar nga Parku Kombëtar Virunga në Kongo. Sipas parkut, kjo po ndihmon në financimin e projekteve të ruajtjes së natyrës.

Por “Gridless” ka si pjesë të planit një hap të guximshëm, të ndërtojë hidrocentrale nga e para për të nxjerrë “Bitcoin” dhe për të sjellë energji elektrike në zonat rurale.

Bashkëthemeluesja e kompanisë, Janet Maingi, ka thënë se kompania është duke mbledhur dhjetëra miliona dollarë për këtë projekt.

Ata po fokusohen në modelet hidroelektrike rrjedhëse si ai i Zengaminës dhe besojnë se kontinenti ka me bollëk potencial hidroenergjitik të pashfrytëzuar.

“Modeli i energjisë i orientuar nga konsumatori, i adaptueshëm, është thelbësor për një qasje të shpejtë, të përballueshme dhe të qëndrueshme në energji që plotëson nevojat e komuniteteve afrikane”, ka shpjeguar ajo.

Kompania nuk është organizatë bamirëse dhe beson se zhvillimi ekonomik afatgjatë për investitorët mund të arrihet vetëm përmes “Bitcoinit”.

Gjetja e lokacioneve për një central të ri ose për shfrytëzimin e atyre ekzistuese është pjesa më e lehtë.

Por kompania akoma përballet me rezistencë nga disa autoritete dhe kompani që e shohin “Bitcoinin” si konsumator të madh dhe egoist të energjisë, energji e cila përndryshe mund të përdorej nga komunitetet rurale.

Por “Gridless” këmbëngul se nxitja ekonomike është gjithmonë për të shitur te blerësi që jep ofertën më të lartë, i cili, sipas tyre, do të jetë gjithmonë komuniteti lokal.

Historia na mëson se, pa stimuj apo rregulla të përcaktuara, mihja e “Bitcoinit” në shkallë të gjerë mund të ushtrojë presion mbi rrjetet publike të energjisë. Në Kazakistan, gjatë bumit të mihjes të viteve 2020-2021, konsumi i energjisë në vend u rrit me 7% përpara se qeveria të ndërhynte dhe të frenonte industrinë në zgjerim e sipër.

Në SHBA – Mekën e re të mihjes së “Bitcoinit” – konfliktet mes mihësve, banorëve dhe autoriteteve kanë qenë të zakonshme kur kërkesa për energji është e lartë.

Autoritetet kanë lidhur marrëveshje me disa nga gjigantët e mihjes për t’u siguruar që ata t’i ndalojnë operacionet e tyre në momentet kur rrjeti ka nevojë për balancim.

Për shembull, termocentrali me gaz Greenidge në New York, i cili u rinovua për të nxjerrë “Bitcoin”, u urdhërua të ndalonte mihjet në janar për të furnizuar rrjetin me energji gjatë një periudhe të ftohtë.
Marrëveshje si këto do të duhet të bëhen të zakonshme nëse ambicia e presidentit amerikan Donald Trump për ta bërë “Bitcoinin” të “prerë dhe prodhuar në SHBA” do të realizohet.

Ndikimi mjedisor i kësaj industrie është gjithashtu shqetësim i madh. Vlerësohet se mihja e “Bitcoinit” konsumon aq energji sa një shtet si Polonia.

Por, sipas studiuesve të Universitetit të Cambridge, të cilët bëjnë vlerësime vjetore mbi konsumin e energjisë të “Bitcoinit”, po ndodh zhvendosje drejt një përzierjeje më të qëndrueshme energjetike.

Operacionet si Zengamina përbëjnë pjesë shumë të vogël të peizazhit të përgjithshëm të të ashtuquajturave “miniera”.

Por ato janë gjithashtu shembull i rrallë i një industrie kontroverse që po krijon shumë më tepër sesa thjesht monedha digjitale.