Shtëpia e Bardhë këmbëngul se bisedimet me Iranin do të jenë të drejtpërdrejta, pavarësisht se Irani thotë se ato do të jenë indirekte.
Sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt ka thënë të martën në një konferencë për media se bisedimet SHBA-Iran që do të zhvillohen të shtunën në Oman në lidhje me programin bërthamor të Iranit, do të jenë të drejtpërdrejta, duke hedhur poshtë këmbënguljen e Iranit për të kundërtën.
"Ato do të jenë bisedime të drejtpërdrejta të shtunën”, u ka thënë Leavitt gazetarëve, duke shtuar se nuk ka më shumë detaje për të ndarë.
Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghci, ka thënë të martën se do të takohet me të dërguarin e SHBA-së, Steve Witkoff në Oman për negociatat e para nën administratën Trump që kërkon të ndalojë programin bërthamor të Teheranit që po avancohet me shpejtësi, teksa tensionet mbeten të larta në Lindjen e Mesme.
Duke folur për televizionin shtetëror iranian nga Algjeria, Araghchi ka thënë se bisedimet do të ishin të tërthorta, me gjasë me ndërmjetësuesit omanë që do të përfshiheshin mes dy palëve.
"Nëse pala tjetër tregon qëllim të vërtetë, ne besojmë se një marrëveshje mund të arrihet përfundimisht. Pra, siç thuhet, topi është në fushën e SHBA-së”, ka thënë Araghchi duke folur nga Algjeria.
Disa vite bisedimesh indirekte nën administratën e Bidenit nuk kanë arritur asnjë sukses, pasi Teherani tani pasuron uraniumin deri në 60% pastërti.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump ka thënë të hënën se SHBA-ja do të zhvillojë bisedime të drejtpërdrejta me Iranin për programin e tij bërthamor, ndërsa ka paralajmëruar iranianët se do të ishin në "rrezik të madh" nëse nuk binden ta braktisin programin e tyre të armëve bërthamore.