Botë

Birmania në betejë me kohën për gjetjen e të mbijetuarve

Birmani

Foto: Associated Press

Ka shkuar në mbi 1600 numri i viktimave nga tërmeti i të premtes, 7.7-shkallësh në Birmani. Derisa në disa zona njerëzit po detyrohen të gërmojnë me duar për të shpëtuar të mbijetuarit.

Mungesa e pajisjeve, komunikimit dhe dëmtimet e rrugëve dhe urave po ashtu janë duke vështirësuar kërkimin për të mbijetuarit.

Tërmeti ka pushtuar pjesën më të madhe të Mandalayit, qytetin e dytë më të madh të vendit. Kishte duartrokitje kur kërkim-shpëtuesit nxorën një grua të mbijetuar nga rrënojat e një apartamenti 12-katësh 30 orë pasi ishte shembur, por sipas “Kryqit të Kuq”, më shumë se 90 persona mund të jenë akoma të bllokuar aty.

Në një qytezë afër, ekipet e kërkim-shpëtimit kanë gjetur trupat e 12 fëmijëve parashkollorë dhe një mësuesi nën një ndërtesë që shërbente si çerdhe.

Çarjet dhe dëmtimet sipërfaqësore në autostradën kryesore në mes të qytetit më të madh Yangon, kryeqytetit Nay Pyi Taw dhe Mandalay kanë shkaktuar pengesa të mëdha në transport, sipas Agjencisë humanitare të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, OCHA. Po ashtu ka pasur mungesa të furnizimeve mjekësore duke përfshirë pajisjet për trauma, qese për gjak, anestetik, barna esenciale dhe tenda për punëtorët shëndetësorë, sipas OCHA-s.

Edhe pse ekipet e kërkim-shpëtimit kanë qenë duke punuar që nga e premtja dhe ndihma ndërkombëtare ka filluar të hyjë në vend, ndihmës akoma i duhet kohë të hyjë në zonat më të prekura dhe njerëzit normalë me duart e tyre janë duke u munduar t’i shpëtojnë të mbijetuarit. Imazhe të shpërndara online shfaqin dy burra që largojnë rrënojat për të nxjerrë një grua që është bllokuar nga dy blloqe betoni.

BBC-ja ka folur me banorët lokalë të cilët thanë se të mbijetuarit po bërtisnin për ndihmë nga nën rrënojat. Diku tjetër, ekipet e kërkim-shpëtimit kanë tentuar të dëgjojnë për të mbijetuar. “Ne mund vetëm t’i shpëtojmë ata që mund t’i dëgjojmë”, sipas njërit prej tyre.

Më herët të shtunën, një ekip kërkim-shpëtimi në qytezën Sintkai në distriktin Kyaukse të Mandalayit ka nxjerrë disa persona nga rrënojat e një shkolle private. Gjashtë nga ta kishin vdekur para se ekipet të arrinin aty. Në mesin e viktimave kishte studentë, mësues dhe staf të shkollës.

Mungesa e pajisjeve është duke e vonuar shumë kërkim-shpëtimin. “Ne jemi duke bërë sa mundemi me pajisjet që kemi. Ne jemi munduar disa orë për të nxjerrë një vajzë që kishte mbetur në rrënojat e shkollës së shkatërruar”, ka deklaruar një punëtor.

Një punëtor tjetër në Mandalay ka raportuar se komunikimi ka qenë pothuajse i pamundur. “Gjëja kryesore është se ne nuk kemi internet, nuk kemi linja telefonike, pra është shumë e vështirë të lidhesh me njëri-tjetrin. Ekipi i shpëtimit ka arritur. Por ne nuk dimë ku do të shkojë, sepse linjat e telefonit kanë rënë”, ka deklaruar punëtori.

Një banore e Mandalayit ka deklaruar se njerëzit po bëjnë më të mirën e tyre në rrethana kaotike. “Nuk ka koordinim në përpjekjet për shpëtim, asnjë që i udhëheq, apo t’u thotë çfarë të bëjnë. Banorëve lokalë u është dashur të shikojnë për vete. Nëse ata gjejnë trupa të viktimave në rrënoja, ata nuk e dinë as ku të dërgojnë trupin, spitalet janë të mbingarkuara dhe të paafta për të përballuar”, ka deklaruar ajo.

Junta ushtarake ka thënë se numri i ndërtesave të dëmtuara në rajonin e Mandalayas, epiqendrën e tërmetit, është më shumë se 1,500. Ndërprerjet e elektricitetit kanë përkeqësuar situatën. Sipas zyrtarëve, rikthimi i energjisë elektrike mund të marrë ditë.

Aeroporti i Mandalayit nuk është funksional, sepse pistat e uljes janë dëmtuar gjatë tërmetit. Këshilli ushtarak ka deklaruar se është duke punuar për të rikthyer operacionet dhe një spital të përkohshëm, si dhe një kamp mjekësor të lehtësimit dhe strehim.

Më pas se 25 kilometra nga Mandalay në Sagaing, një pjesë e vjetër e dy urave që lidhin dy rajone është shkatërruar komplet dhe një pjesë më e re është çarë duke bllokuar rrugën për ekipet e shpëtimit.

“Tani, nuk ka mjaftueshëm njerëz edhe për shpëtim emergjent. Ne nuk mund të nxjerrim trupat, ka shumë njerëz të bllokuar. Ne nuk mund të kalojmë mbi urë, pra ne të gjithë jemi të bllokuar në rrënoja. Ju lutem ndihmoni ekipet e emergjencës të vijnë të na ndihmojnë”, ka thënë një banor lokal.

Kryeqyteti i ndërtuar së voni, Nay Pyi Daw, ku ka selinë Junta ushtarake, është goditur nga goditjet e mëpasshme dhe lëkundje të vogla. Qyteti ka përjetuar dëme të mëdha me numër të madh të viktimave, ndërtesa të rrënuara dhe rrugë të shkatërruara.

Në ndërkohë, edhe kur Junta bëri apel të rrallë ndërkombëtar për ndihmë, ajo i ka vazhduar sulmet ajrore dhe me dronë kundër ushtrive etnike dhe grupeve të armatosura që ka qenë duke i luftuar në luftën civile katërvjeçare.

BBC-ja ka konfirmuar se shtatë persona janë vrarë nga një sulm ajror në Naungcho në shtetin verior të Shanit. Kjo goditje ka ndodhur rreth orës lokale 15:30, më pak se tri orë pasi kishte goditur tërmeti.

Rebelët pro-demokratikë të cilët luftojnë për të larguar ushtrinë nga pushteti kanë raportuar bombardime ajrore në qytezën e Chang-U në qendër të rajonit Sagaing, në epiqendër të tërmetit. Po ashtu, ka pasur raportime të sulmeve ajrore edhe në rajonet afër kufirit me Tajlandën.

Raportuesi special i OKB-së për të drejtat e njeriut në Birmani, Tom Andrews, i ka bërë thirrje Juntas të ndalë sulmet ajrore.

“Problemi është se ka akoma operacione ushtarake që po zhvillohen tani... goditje ushtarake nga Junta ushtarake”, ka deklaruar Andrews. “Po i bëj thirrje Juntas të ndalet, t’i ndalë të gjitha operacionet ushtarake. Kjo është komplet mizore dhe e papranueshme”.