Vendet që kanë raportuar për shtim më të madh të të infektuarve gjatë shtatëditëshit të fundit – Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Brazili, Indonezia, India dhe Irani – numërojnë rreth 38-përqindëshin e të gjitha rasteve globale të raportuara secilën ditë
Numri i rasteve globale të infektimit me koronavirus ka tejkaluar të mërkurën 200-milionëshin, teksa varianti Delta po i kërcënon rajonet me shkallë të ulët të vaksinimit.
Shtimi i rasteve të reja është evidentuar në të paktën 83 nga 240 vendet e botës, kanë treguar të dhënat e përllogaritura nga agjencia e lajmeve Reuters.
“Derisa ne dëshpërimisht duam që të heqim qafe këtë pandemi, COVID-19 qartazi nuk ka kryer punë me ne. Andaj beteja jonë duhet të vazhdojë pak më gjatë”, ka thënë të mërkurën Rochelle Walensky, drejtoreshë e Qendrave amerikane për Kontrollimin dhe Parandalimin e Sëmundjeve.
Sipas shifrave të Reutersit, të paktën 2.6 për qind e mbarë popullsisë botërore janë infektuar, teksa të dhënat besohet të jenë akoma më të larta, si rrjedhojë e testimeve të kufizuara në shumë vende. Vendet që kanë raportuar për shtim më të madh të të infektuarve gjatë shtatëditëshit të fundit – Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Brazili, Indonezia, India dhe Irani – numërojnë rreth 38-përqindëshin e të gjitha rasteve globale të raportuara secilën ditë.
Vendet në Azinë Juglindore po ashtu kanë raportuar shtim të infeksioneve. Rajoni që përbën vetëm 8-përqindëshin e popullatës botërore ka numëruar pothuajse 15 për qind të të gjitha rasteve ditore globalisht, ka treguar analiza e Reutersit.
Indonezia ka aktualisht mesataren më të lartë të vdekjeve dhe të mërkurën ka tejkaluar shifrën prej 100 mijë vdekjesh në total. Pasi u përball me përhapjen më të rëndë të virusit në muajt prill-maj, India po shënon sërish një trend të ngritjes së rasteve. Të premten e shkuar vendi raportoi 44,230 raste të reja me COVID-19, më së shumti brenda tri javësh. Përhapja ka nxitur shqetësimet për një valë të tretë të infeksioneve.
Vala më e rëndë e përhapjes së koronaviruist në Kinë, që nga fillimi i pandemisë më 2019, është përshkallëzuar të mërkurën me regjistrimin e rasteve të reja të infektimit në shumë pjesë. Kjo ka nxitur autoritetet që ta mbyllin një qytet të tërë dhe të dënojnë udhëheqësit e tij. Ndërkaq në Wuhani, qyteti prej ku janë shfaqur rastet e para të COVID-19 në fundin e 2019-s, testimet masive kanë evidentuar raste të reja shumë të ngjashme me ato në Jiangsu. Për pothuajse të gjitha rastet e reja autoritetet mbajnë përgjegjës variantin Delta të koronavirusit.
Si rrjedhojë, ekspertët shëndetësorë janë duke ndërmarrë hulumtime për të përcaktuar nëse varianti shumë më bartës i virusit po ndikon që njerëzit, sidomos të pavaksinuarit, të sëmuren më rëndë se më përpara.
Reuters ka raportuar se CDC-ja amerikane ka evidentuar në një dokument të brendshëm se varianti është po aq i bartshëm sa lia dhe larg më i përhapshëm sesa ftohja apo gripi.
Për ta luftuar shpërthimin e variantit Delta, Organizata Botërore e Shëndetësisë po kërkon fonde shtesë prej 11.5 miliardë dollarësh.