Botë

Bien për 34% kërkesat për azil në Gjermani

Gjermani, azili

Foto: Associated Press

Kërkesat për azil në Gjermani kanë rënë me 34% vitin e kaluar, ka bërë të ditur ministria e Brendshme të martën, në kohën e debateve të ashpra mbi migracionin, përpara zgjedhjeve kombëtare që do të mbahen më 23 shkurt.

Zemërimi i publikut për migracionin është rritur pas një sërë incidentesh të dhunshme që përfshijnë emigrantë, duke përfshirë një përplasje me veturë dhe një sulm vdekjeprurës me thikë, vetëm në dy muajt e fundit, të cilat kanë lënë të vdekur tetë persona, raporton Reuters.

Këto shqetësime kanë nxitur mbështetjen për Alternativën për Gjermaninë (AfD) të ekstremit të djathtë, të cilën sondazhet e opinionit e vendosin në vendin e dytë pas opozitës kryesore konservatore.

Gjermania ka regjistruar 213,499 kërkesa për azil në vitin 2024, nga 322,636 një vit më parë, kanë treguar të dhënat e reja. Muajin e kaluar janë dorëzuar 37% më pak aplikime sesa në janar 2024. 

Policia federale ka regjistruar pothuajse një të tretën më pak ardhje të paligjshme në vitin 2024: 83,572 kundrejt 127,549 në vitin 2023.

"Kjo tregon edhe një herë se masat tona po funksionojnë”, ka thënë ministrja e Brendshme, Nancy Faeser, socialdemokratët e së cilës po qëndrojnë në vendin e tretë në sondazhet e opinionit përpara zgjedhjeve.

Në përgjigje të shqetësimeve të publikut, Gjermania shtatorin e kaluar ka rivendosur kontrollet e imigracionit në të gjithë kufijtë e saj tokësorë, një veprim që nxiti kritika nga vendet fqinje, të cilat thanë se shkelte parimin e lëvizjes së lirë të Bashkimit Evropian.

Javën e kaluar Friedrich Merz, udhëheqësi i konservatorëve, i cili mendohet të bëhet kancelari i ardhshëm i Gjermanisë, ka paraqitur një mocion jodetyrues përmes parlamentit duke kërkuar një shtrëngim të mëtejshëm të kontrolleve kufitare. Megjithatë parlamenti më vonë hodhi poshtë një projekt-ligj, të sponsorizuar gjithashtu nga Merz, që kërkonte kufizime në bashkimin e familjes dhe më shumë dëbime në kufij.

Të dyja këto shkaktuan polemika në Gjermani sepse kishin mbështetjen e AfD-së dhe kështu shënuan një shkelje të një marrëveshjeje të pashkruar midis partive kryesore, kundër bashkëpunimit me partinë e ekstremit të djathtë.