Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden ka dënuar sulmet ruse të së hënës, që lanë të vrarë të paktën 38 persona dhe qindra të plagosur në Ukrainë.
Bideni është zotuar të forcojë mbrojtjen ajrore të Kievit, raporton “BBC”.
Presidenti i SHBA-së ka paralajmëruar se në samitin e NATO-s, i cili do të mbahet të martën në Washington, do të bëhen të ditura përforcimet e mëtejshme për mbrojtjen ajrore të Ukrainës.
“Ne do të shpallim masa të reja për të forcuar mbrojtjen ajrore të Ukrainës, në mënyrë që të ndihmojmë në mbrojtjen e qyteteve dhe civilëve nga sulmet ruse”, ka thënë Biden.
Udhëheqësit nga 32 shtetet anëtare të NATO-s, vendet e tyre partnere dhe BE-ja do të mblidhen për të shënuar 75-vjetorin e bllokut.
I pranishëm në këtë samit do të jetë edhe presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky.
Këshilli i Sigurimit i OKB-së pritet të mblidhet gjithashtu të martën me kërkesë të Ukrainës.
Për muaj të tërë, presidenti Zelensky u ka kërkuar aleatëve perëndimorë që të përforcojnë mbrojtjen ajrore të Ukrainës, mes sulmeve të shtuara ruse.
Qeveria në Kiev ka shprehur nevojën për sisteme të reja të mbrojtjes ajrore Patriot të prodhuara nga SHBA-ja. Por zyrtarët perëndimorë kanë hezituar t’i dorëzojnë këto sisteme të kufizuara, të shpërndara në të gjitha vendet aleate të NATO-s.
Zelensky ka njoftuar se Rusia kishte lëshuar më shumë se 40 raketa të hënën, duke dëmtuar pothuajse 100 ndërtesa në Kiev, Dnipro, Kryvyi Rih, Sloviansk dhe Kramatorsk.