Themeluesi i Wikileaks

Bideni thotë se po shqyrton kërkesën e Australisë për të mos e ndjekur penalisht Assangen

Julian Assange

Julian Assange

Foto: Associated Press

Presidenti amerikan, Joe Biden ka thënë të mërkurën se ai po shqyrton një kërkesë nga Australia për të hequr dorë nga përpjekja prej një dekade e SHBA-së për të ndjekur penalisht themeluesin e Wikileaks, Julian Assange, për botimin e një grumbulli dokumentesh të klasifikuara amerikane.

Për vite me radhë, Australia i ka bërë thirrje Shteteve të Bashkuara të heqin dorë nga ndjekja penale kundër Assange, një shtetas australian i cili ka luftuar përpjekjet e SHBA-së për ekstradim nga burgu në Mbretërinë e Bashkuar. 

"Ne po e shqyrtojmë atë”, ka thënë Bideni, i pyetur në lidhje me kërkesën të mërkurën, teksa priti kryeministrin japonez, Fumio Kishida për një vizitë zyrtare, raporton AP. 

Assange është paditur për 17 akuza për spiunazh për publikimin në uebsajtin e tij të një grumbulli dokumentesh të klasifikuara amerikane, pothuajse 15 vjet më parë. 

Prokurorët amerikanë pretendojnë se Assange, 52 vjeç, inkurajoi dhe ndihmoi analisten e inteligjencës së Ushtrisë Amerikane, Chelsea Manning, të vidhte kabllogramet diplomatike dhe dosjet ushtarake që publikoi WikiLeaks, duke vënë në rrezik jetë.

Australia pretendon se ka një dallim në trajtimin midis Assange dhe Manning nga SHBA-ja. 

Ish-presidenti Barack Obama e ndryshoi dënimin 35-vjeçar të Manning në shtatë vjet, gjë që bëri të mundur lirimin e saj në vitin 2017.

Mbështetësit e Assange thonë se ai është një gazetar i mbrojtur nga Amendamenti i Parë, i cili ekspozoi keqbërjet e ushtrisë amerikane në Irak dhe Afganistan, që ishte në interesin publik. 

Gruaja e tij, Stella Assange, ka thënë se themeluesi i WikiLeaks “po persekutohet sepse ai ekspozoi koston e vërtetë të luftës në jetë njerëzore”. Ajo ka thënë se shëndeti i tij vazhdon të përkeqësohet në burg dhe ajo ka frikë se ai do të vdesë pas hekurave.

Një gjykatë britanike vendosi muajin e kaluar se Assange nuk mund të ekstradohet në Shtetet e Bashkuara për akuzat e spiunazhit, nëse autoritetet amerikane nuk garantojnë se ai nuk do të marrë dënimin me vdekje.