Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, ka paraqitur të enjten mbrëma sanksionet e reja ndaj Rusisë, si pasojë e pushtimit të Ukrainës.
Bideni në një konferencë për media nga Shtëpia e Bardhë, ka thënë se SHBA-ja do ta ndalojë aftësinë e Rusisë për të financiuar dhe rritur ushtrinë e saj.
Bideni po ashtu ka deklaruar se sanksionet amerikane do të dëmtojnë aftësinë e Rusisë për të konkurruar në ekonominë e teknologjisë së lartë të shekullit 21.
Duke përshkruar tashmë pasojat ekonomike të pushtimit, ai ka vënë në dukje se rubla ruse ka arritur nivelin e saj më të dobët ndonjëherë, dhe bursa ruse po bie po ashtu.
“Tani kemi sanksionuar bankat ruse që së bashku mbajnë një trilion dollarë aktive”, ka thënë Biden teksa ka folur për masat ndaj bankave ruse.
"Ne kemi ndërprerë marrëdhëniet me një nga bankat më të mëdha të Rusisë, e cila mban një të tretën e aksioneve bankare të vendit”, ka shtuar Biden.
Presidenti amerikan ka thënë po ashtu se SHBA-ja bashkë me aleatët e saj të NATO-s dhe BE-së do të kufizojnë Rusinë që të bëjë tregti me dollar dhe monedha të tjera.
Putini ka deklaruar po ashtu se pavarësisht se Rusia e fshihte pretendimin për pushtimin e Ukrainës prej kohësh, është parë që ai po i merrte të gjitha masat e nevojshme para nisjes së sulmeve, duke sjellë sasi gjaku dhe ndërtuar spitale afër Ukrainës.
Presidenti Biden ka përsëritur se forcat amerikane "nuk janë dhe nuk do të përfshihen" në konfliktin me Rusinë në Ukrainë.
“Forcat tona nuk do të shkojnë në Evropë për të luftuar në Ukrainë, por për të mbrojtur aleatët tanë të NATO-s dhe për të qetësuar ata aleatë në lindje”, ka thënë ai.
"Shtetet e Bashkuara do të mbrojnë çdo centimetër të territorit të NATO-s me fuqinë e plotë të fuqisë amerikane."
Biden ka shtuar se ai beson se NATO-ja është më e bashkuar se kurrë më parë dhe se "nuk ka dyshim" se SHBA-ja dhe vendet e tjera të NATO-s do të përmbushin angazhimet e tyre të traktatit.
Mijëra forca tokësore dhe të tjera amerikane janë dislokuar në vendet e NATO-s në Evropën Lindore që ndihen të kërcënuara nga Rusia, duke përfshirë Letoninë, Estoninë dhe Lituaninë në Balltik, si dhe Poloninë dhe Rumaninë.
Biden: Putini po mundohet ta rithemelojë ish-Bashkimin Sovjetik
Presidenti i SHBA-së, Joe Biden ka thënë se presidenti rus, Vladimir Putin është i shkëputur nga pjesa tjetër e botës dhe dëshiron të ringjallë ish-Bashkimin Sovjetik.
"Ai ka ambicie shumë më të mëdha se Ukraina. Ai në fakt dëshiron të rivendosë ish-Bashkimin Sovjetik. Për këtë bëhet fjalë. Dhe unë mendoj se ambiciet e tij janë krejtësisht në kundërshtim me vendin ku ka ardhur pjesa tjetër e botës”, ka thënë Bideni, gjatë një konference për media të enjten, nga Shtëpia e Bardhë, lidhur me situatën në Ukrainë.
Biden mbeti i palëkundur se sanksionet do të kenë efekt në agresionin rus pasi vendi sulmoi Ukrainën.
"Kjo do ta dobësojë vendin e tij. Ai do të duhet të bëjë një zgjedhje shumë, shumë të vështirë nëse do të vazhdojë të lëvizë drejt të qenit një fuqi e dorës së dytë apo, në fakt, të përgjigjet”, ka thënë Biden.
"Nëse ne nuk lëvizim kundër tij tani me këto sanksione të rëndësishme, ai do të inkurajohet”, ka shtuar presidenti amerikan.
Biden: Nuk e kam në plan të bisedojë me Putinin
Presidenti amerikan, Joe Biden ka thënë se ai nuk ka plane të bisedojë me presidentin rus, Vladimir Putin, pas sulmeve që Rusia ka nisur në Ukrainë.
Gjatë një konference për media nga Shtëpia e Bardhë të enjten pasdite, Bideni ka thënë se agresioni i Putinit në Ukrainë do t’i kushtojë shtrenjtë ekonomikisht shtetit rus.
"Agresioni i Putinit kundër Ukrainës do të përfundojë duke i kushtuar shtrenjtë Rusisë ekonomikisht dhe strategjikisht. Putini do të jetë një i pabesë në skenën ndërkombëtare. Zgjedhja e Putinit për të bërë një luftë krejtësisht të pajustifikueshme kundër Ukrainës, do ta lë Rusinë më të dobët dhe pjesën tjetër të botës më të fortë”, ka deklaruar Biden.