I freskët nga udhëtimi i tij në Francë javën e kaluar për përvjetorin e Ditës D, presidenti amerikan, Joe Biden, është nisur të mërkurën herët nga Washingtoni për në Itali, për të marrë pjesë në samitin e liderëve të demokracive udhëheqëse.
Këtë vit, samiti i G7-ës vjen tri vjet pasi Bideni kishte deklaruar në mbledhjen e tij të parë të tillë, që Amerika është kthyer si një lider global pas ndërprerjeve në aleancat perëndimore që ndodhën nën presidentin, Donald Trump, raporton AP.
Është mundësia që ky takim do të jetë i fundit për Bidenin dhe po ashtu për liderët e tjerë të G7-ës, varësisht nga rezultatet e zgjedhjeve të këtij viti.
Bideni dhe homologët i tij nga Kanada, Britania, Franca, Gjermania, Italia dhe Japonia do ta shfrytëzojnë samitin për t’i diskutuar sfidat e lidhur me përhapjen e inteligjencës artificiale, migracioni, ringjallja e ushtrisë ruse dhe ekonomia e Kinës, ndër të tjera.
Papa Françesku, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky dhe presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan do t’i bashkohen takimit në resortin Borgo Egnazia në Puglia, një rajon në jug të Italisë.
Samiti, i cili nis të enjten, vjen vetëm pak ditë pasi partitë e ekstremit të djathtë nëpër kontinent, kanë shënuar fitore, në zgjedhjet e sapopërfunduar evropiane.
Bideni pritet të mbërrijë në Itali të mërkurën në mbrëmje, duke shënuar udhëtimin e tij të dytë jashtë SHBA-së në disa javë.