Një samit i grupit Ramstein i udhëhequr nga presidenti amerikan, Joe Biden në Gjermani të shtunën do të sinjalizojë mbështetje e palëkundur për Ukrainën, ka thënë një zyrtar gjerman, pasi grupi i donatorëve të armëve do të takohet në nivelin më të lartë për herë të parë.
Mbledhja në Gjermani më 10-13 tetor pritet të sjellë në Gjermani mesazhin se Rusia nuk mund të presë që mbështetja perëndimore të pushojë, u ka thënë gazetarëve të martën zyrtari gjerman, duke folur në kushte anonimiteti, raporton Reuters.
Pas pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia në vitin 2022, Uashingtoni mblodhi vendet me të njëjtin mendim në bazën ajrore të SHBA-së në Ramstein, Gjermania jugperëndimore, duke krijuar një grup prej rreth 50 vendesh, ministrat e Mbrojtjes të të cilëve takohen rregullisht për të përshtatur kërkesat e Kievit për armë me premtimet e donatorëve.
Takimi i së shtunës - i pari në nivel liderësh, do të hapet pasdite me komente publike nga Bideni, presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensiy dhe kancelari gjerman, Olaf Scholz.
Do të marrin pjesë gjithashtu presidenti francez, Emmanuel Macron, kryeministri britanik, Keir Starmer dhe presidenti polak, Andrzej Duda.
“Mesazhi për Ukrainën do të jetë se mbështetja jonë është e fuqishme dhe e qëndrueshme, dhe për Moskën se nuk ka kuptim të spekulojmë se ne mund të heqim dorë nga mbështetja jonë”, ka thënë zyrtari gjerman.
Gjermania pret që rreth 20 liderë të udhëtojnë në Ramstein, ku Zelensky do të prezantojë "planin e tij të fitores", të cilin ai e përshkruan si hapa të qartë dhe specifikë për një fund të drejtë të luftës.
Megjithatë një zyrtar amerikan e ka karakterizuar planin si një kërkesë të ripaketuar për më shumë armë dhe një heqje të kufizimeve në përdorimin e raketave me rreze të gjatë.
Zyrtari gjerman përsëriti gatishmërinë e Scholzit për bisedime me presidentin rus Vladimir Putin, me kusht që ato të ofrojnë një perspektivë për përparim në rrugën drejt një paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme, por paralajmëroi Rusinë që të mos e interpretojë këtë si dobësi.
Putini ka thënë në qershor se Moska do t'i jepte fund luftës që ai filloi në shkurt të vitit 2022 vetëm nëse Kievi pranonte të dorëzonte të katër rajonet e pretenduara nga Moska dhe të hiqte ambiciet e saj për t'u bashkuar me NATO-n. Kievi i hodhi poshtë këto kërkesa si të barasvlershme me dorëzimin.