Presidenti amerikan Joe Biden ka rënë dakord t’i dhurojë Ukrainës edhe mina tokësore.
Një zyrtar amerikan i Mbrojtjes, i cili foli për BBC-në në kushte anonimiteti, ka thënë se mina të tilla do t’i dorëzohen së shpejti Kievit dhe se Uashingtoni pret që ato të përdoren në territorin ukrainas.
Sipas zyrtarit, Ukraina është e vetëdijshme që minat e tilla nuk duhen përdorur në zonat me popullsi të dendur.
Lëvizja shihet si përpjekje për të ngadalësuar trupat ruse që kanë përparuar dukshëm në Ukrainën lindore muajt e fundit.
Sigurimi i minave tokësore është masa e fundit e administratës amerikane në largim për të nxitur përpjekjet luftarake të Ukrainës përpara se Donald Trumpi të kthehet në Shtëpinë e Bardhë më 20 janar.
Rusia ka vendosur mina tokësore me bollëk që nga fillimi i pushtimit të Ukrainës në shkurt 2022, por administrata Biden ka hezituar t’i japë Kievit mina të tilla pas kundërshtimeve ndërkombëtare se ato paraqesin rrezik për civilët.
Tensionet në luftën në Ukrainë janë rritur ditëve të fundit pasi presidenti Joe Biden mori vendim ta lejojë Ukrainën t’i përdorë raketat me rreze të gjatë veprimi ATACMS që të sulmojë brenda territorit rus. Kjo bëri që presidenti rus Vladimir Putin të martën ta zgjerojë doktrinën bërthamore.