Ish-presidenti amerikan, Joe Biden, ka shfrytëzuar fjalimin e tij të parë që nga largimi nga detyra për të kritikuar politikat e mirëqenies së administratës Trump.
Gjatë një konference në Çikago, Bideni nuk i është referuar asnjëherë Trumpit me emër, duke thënë se “në më pak se 100 ditë, kjo administratë e re ka bërë kaq shumë dëme dhe kaq shumë shkatërrime”, raporton BBC.
Ai e ka kritikuar shkurtimet në sigurimet shoqërore nga Departamenti për Efiçencë Qeveritare (DOGE) të Elon Muskut, teksa e ka përshkruar sigurimin social si një "premtim të shenjtë", duke shtuar se të gjithë e dinë se sa rëndësi ka sigurimi social për jetën e njerëzve.
Duke folur në ngjarjen për aftësitë e kufizuara, Bideni nuk ka përmendur largimin e tij nga Shtëpia e Bardhë apo zgjedhjet presidenciale të vitit 2024 gjatë fjalimit të tij.
Agjencia e Sigurimeve Shoqërore (SSA) siguron të ardhura bazë për njerëzit në SHBA që janë në pension ose nuk mund të punojnë për shkak të aftësisë së kufizuar. Ajo mbulon rreth 67 milionë amerikanë, kryesisht qytetarë të moshuar.
Politikanët demokratë kanë akuzuar vazhdimisht administratën për planifikimin e shkurtimeve gjithëpërfshirëse të Sigurimeve Shoqërore.
Anëtarët e DOGE-s kanë bërë shkurtime të agjencisë që nga shkurti, me synimin për të hequr 7,000 vende pune.