Presidenti ukrainas ka qenë mysafir në Shtëpinë e Bardhë teksa nikoqiri Joe Biden është duke llogaritur në përkrahjen e Kongresit për pakon e re të ndihmave ushtarake për Ukrainën. Gjatë takimit, dy presidentët janë pajtuar që të nisë puna për formimin e një force të re të Ukrainës, që do të mund të mbronte shtetin nga çfarëdo agresioni.
Presidenti amerikan, Joe Biden, ka thënë se është duke llogaritur në Kongresin se do të ketë “gjykim të mirë”, kur bëhet fjalë për ndihmat ushtarake për Ukrainën.
Bideni këto fjalë i ka thënë gjatë takimit me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, në Shtëpinë e Bardhë.
Presidenti ukrainas ka bërë përpjekje për më shumë përkrahje amerikane në vizitën e tij të shpejtë në Washington të enjten mbrëma.
Mesazhet e tij janë përçuar në kohën e dyshimeve për rrjedhjen e dollarëve amerikanë, që kanë qenë jetikë në përpjekjet e Ukrainës që ta ndalë agresionin rus.
“Jemi të angazhuar që ta ndihmojmë Ukrainën të krijojë forcë që do të ruajë sigurinë e shtetit, të gatshme ndaj kërcënimeve të sovranitetit, integritetit territorial dhe lirisë, të cilat janë cenuar tani. Sepse bëhet fjalë për të ardhmen e lirisë. Amerika nuk do të largohet nga kjo. Për këtë arsye edhe pas 575 ditësh më vonë, ne qëndrojmë me Ukrainën dhe do të vazhdojmë të qëndrojmë krah jush zotëri president”, është shprehur Biden.
Administrata e presidentit amerikan ka njoftuar se do të ofrojë pakon e re ushtarake në vlerë prej 325 milionë dollarëve.
Në këtë pako përfshihen armatimi i mbrojtjes ajrore, të artilerisë dhe raketa shtesë.
“Sot patëm rezultate të rëndësishme. Së pari, u pajtuam që të punojmë për forcën e ardhshme të Ukrainës. Është e rëndësishme dhe vendim strategjik që do të na mundësojë të parandalojmë agresionin kundër Ukrainës”, ka theksuar Zelenskyy.
Që prej fillimit të luftës, shumica e kongresistëve kanë përkrahur katër raundet e ndihmave ushtarake për Ukrainën, që kapin vlerën e 113 miliardë dollarëve.
Kjo ishte vizita e dytë e Zelenskyyt në Washington qëkur Rusia nisi pushtimin e Ukrainës në shkurtin e vitit 2022. (Përgatiti Gent Mehmeti)