Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, ka thënë se do ta kishte mposhtur Donald Trumpin dhe do të kishte fituar zgjedhjet më 5 nëntor.
Duke folur për “USA Today”, Bideni megjithatë shtoi se nuk ishte i sigurt nëse do të ishte në gjendje të mirë edhe për një mandat tjetër katërvjeçar.
“Deri tani, shumë mirë”, ka thënë 82-vjeçari. “Por kush e di se çfarë do të bëhem kur të jem 86 vjeç?”.
Në intervistë, Bideni gjithashtu bëri të ditur se po konsideron “faljen parandaluese” për armiqtë e Trumpit, duke përfshirë ish-kongresmenen republikane Liz Cheney dhe ish-zyrtarin e lartë shëndetësor Anthony Fauci.
“Falja parandaluese” jepet për persona që as nuk janë hetuar, e lëre më të akuzuar. Por Cheney dhe Fauci kanë qenë shënjestër e sulmeve të Trumpit, i cili ka paralajmëruar se do të hakmerret ndaj tyre.
Në intervistën e publikuar të mërkurën, Bideni ka thënë se ka qenë i drejtpërdrejtë me Trumpin dhe i ka treguar për planet për t’i falur Cheneyn dhe Faucin gjatë takimit të tyre në Zyrën Ovale menjëherë pas zgjedhjeve të 5 nëntorit.
“U përpoqa ta bëja të qartë se nuk kishte nevojë dhe ishte kundërintuitive që interesi i tij të kthehej mbrapa dhe të përpiqej të zgjidhte llogaritë”, ka theksuar Biden, duke shtuar se Trumpi nuk e zmbrapsi, por “thjesht dëgjoi”.
Vendimi përfundimtar, sipas Bidenit, do të varet nga kë zgjedh Trumpi për kabinetin e tij.
Për takimin në Zyrën Ovale, Bideni ka thënë se Trumpi e komplimentoi për ekonominë.
“Ai [Trump] mendoi se unë po largohem me histori të mirë”, ka deklaruar demokrati.
Intervista me “USA Today” është e vetmja intervistë që Bideni i ka dhënë deri më tani një botimi të shtypur.
Qasja e mediave në administratën Biden është kontrolluar rreptësisht nga Shtëpia e Bardhë. Presidenti nuk ka mbajtur konferencë për shtyp që kur u largua nga gara për president më 21 korrik, për t’i liruar rrugën Kamala Harrisit.