Liderët e dy shteteve më të fuqishme të Perëndimit, përkatësisht presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden dhe kryeministri i Britanisë së Madhe, Keir Starmer, do të takohen sot më vonë në Shtëpinë e Bardhë, ku tema kryesore do të jetë Ukraina, raporton “BBC” të premten.
Bideni dhe Starmeri do të diskutojnë nëse do t’i lejohet Ukrainës përdorimi i raketave të Perëndimit për të goditur thellë në territorin rus.
Raportet thonë se Starmeri do t’i kërkojë Bidenit t’i japë bekimin Ukrainës për përdorimin e raketave “Storm Shadow”, që prodhohen nga Britania e Madhe dhe Franca, edhe në sulmet brenda territorin rus.
Raketat “Storm Shadow” kanë rreze prej më shumë se 250 kilometra dhe teorikisht mund të godasin brenda Rusisë.
Arsyeja pse nevojitet drita jeshile nga SHBA-ja, “New York Times” raporton se Britania e Madhe dëshiron të tregojë strategji të koordinuar me SHBA-në dhe Francën. Sipas gazetës amerikane, Bideni ende nuk ka marrë vendim përfundimtar, por pritet të japë përgjigje pozitive.
Presidenti amerikan deri tash ka rezistuar për të lejuar përdorimin e armëve të prodhuara nga SHBA-ja për ta goditur territorin rus dhe pritet të vazhdojë me këtë qasje.
Më herët, presidenti rus Vladimir Putin paralajmëroi Perëndimin se nëse raketat e tyre e godasin Rusinë do ta shihte si “pjesëmarrje të drejtpërdrejtë” të vendeve të NATO-s në konflikt.