Botë

Bideni dhe Netanyahu do të takohen të martën në SHBA

Joe Biden dhe Benjamin Netanyahu

Joe Biden dhe Benjamin Netanyahu

Foto: Associated Press

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu pritet të takohet të martën me presidentin e SHBA-së, Joe Biden, ka njoftuar të shtunën zyra e Netanyahut. 

Për herë të fundit, Bideni dhe Netanyahu janë takuar në Tel Aviv më 18 tetor, pak pas sulmit të kryer nga Hamasi në jug të Izraelit, më 7 tetor, nga i cili mbetën të vrarë mbi 1.200 izraelitë dhe u morën peng rreth 240 të tjerë.

Rreth 116 pengje besohet se janë ende në Gazë, përfshirë 42 që ushtria izraelite beson se janë të vrarë.

Si pasojë e sulmit të Hamasit, Izraeli ka nisur fushatën mbi Gazën, si pasojë e të cilës deri tani kanë mbetur të vrarë më shumë se 38,000 palestinezë. 

Mediat kanë raportuar se Netanyahu dhe Bideni do të fokusohen në tentimet për të garantuar një armëpushim në Gazë dhe lirim të pengjeve.

Të mërkurën Netanyahu pritet t’i adresohet edhe Kongresit amerikan, lidhur me veprimet e ushtrisë izraelite në Gazë.