Botë

Bideni bllokon blerjen e kompanisë amerikane të çelikut nga rivali japonez

US Steel

Foto: Associated Press

Presidenti amerikan, Joe Biden, ka thënë se ka bllokuar blerjen e propozuar prej 14.9 miliardë dollarësh të kompanisë së çelikut “US Steel” nga rivali japonez, Nippon Steel.

Në një deklaratë të Shtëpisë së Bardhë me urdhrin e Bidenit thuhet se ka “dëshmi kredibile” se firma “mund të ndërmarrë veprime që kërcënojnë të dëmtojnë sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara”, raportoi BBC.

Bideni vendosi ta bllokonte marrëveshjen pavarësisht përpjekjeve intensive për ta bindur nga disa këshilltarë të tij, të cilët thuhet se e paralajmëruan se refuzimi i një investimi kaq të madh nga një korporatë japoneze si Nippon Steel mund të dëmtonte marrëdhëniet mes Washingtonit dhe Tokios.

Kompania japoneze dhe US Steel më parë kishin deklaruar se do të ndiqnin rrugën ligjore kundër qeverisë nëse marrëveshja nuk do të ndodhte.

“US Steel” dikur ishte simbol i fuqisë industriale amerikane. Ishte kompania më e vlefshme në botë dhe e para me vlerë 1 miliardë dollarë menjëherë pas krijimit të saj më 1901. Ishte po ashtu thelbësore për ekonominë e SHBA-së dhe veturat, pajisjet, urat dhe ndërtesat shumëkatëshe. Por, tani nuk është më as prodhuesi më i madh i çelikut në SHBA.