Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, i ka thënë presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky, se do të “ishte një dhuratë Krishtlindjeje” për presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, nëse Kongresi në SHBA nuk arrin ta miratojë ndihmën e re ushtarake për Kievin, raporton “BBC”.
Duke folur në Zyrën Ovale në Shtëpinë e Bardhë, Bideni i tha Zelenskyt “se SHBA-ja do të qëndrojë në anën e Ukrainës”.
Pavarësisht përpjekjeve të presidentit amerikan për t’i qetësuar shqetësimet, republikanët po mbeten rezistentë ndaj një pako ndihme ushtarake në vlerë prej 61 miliardë dollarëve për Ukrainën.
Republikanët po bllokojnë pasi po kërkojnë rritjen e sigurisë kufitare në jug mes SHBA-së e Meksikës.
E presidenti i Ukrainës, Zelensky, ka thënë se “Ukraina mund të fitojë”, ndërsa ka përmendur veçanërisht mposhtjen e forcave ruse në Detin e Zi.
Zelensky ka thënë se dëshiron të forcojë sistemin e mbrojtjes ajrore të Ukrainës, që mbetet kyç për ta mbrojtur popullatën civile.