Presidenti amerikan, Joe Biden ka thënë të hënën se kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu nuk është duke bërë mjaftueshëm për ta siguruar marrëveshjen për lirimin e pengjeve nga Gaza dhe se SHBA-ja është gati ta prezantojë propozimin final për negociatorët që po punojnë për marrëveshjen e pengjeve dhe të armëpushimit, raporton agjencia “Reuters”. Bideni ishte duke folur me reporterët në Shtëpinë e Bardhë, pasi forcat izraelite gjetën trupat e gjashtë pengjeve në një tunel në Gaza.
Ushtria izraelite ka thënë se pengjet ishin vrarë nga militantët palestinezë të Hamasit. Kjo ka nxitur kritika për strategjinë e armëpushimit të administratës së Bidenit dhe ka rritur presionin ndaj Netanyahut nga izraelitët për t’i sjellë pengjet e mbetura në shtëpi. Komentet e tij shkaktuan reagim të ashpër nga burimet e larta izraelite. Sa i përket marrëveshjes përfundimtare të pengjeve, Bideni është shprehur se janë afër për ta arritur këtë.