Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka diskutuar nëpërmjet një telefonate me homologun e tij nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, mbi shqetësimin e përbashkët për Ukrainën.
Ata diskutuan për “shqetësimin e përbashkët për pushtimin e pajustifikuar të Ukrainës”, duke e riafrimuar mbështetjen e tyre për qeverinë dhe popullin ukrainas, sipas një deklarate nga Shtëpia e Bardhë.
“Ata riafirmuan mbështetjen e tyre të fortë për qeverinë dhe popullin e Ukrainës, nënvizuan nevojën për një ndërprerje të menjëhershme të agresionit rus dhe mirëpritën përgjigjen e koordinuar ndërkombëtare ndaj krizës”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga Shtëpia e Bardhë, raporton CNN.
Tutje është thënë se presidenti Biden ka shprehur vlerësimin për përpjekjet e Turqisë për të mbështetur një zgjidhje diplomatike të kësaj lufte, si dhe për angazhimet e fundit të Turqisë me liderët rajonalë që ndihmojnë në promovimin e paqes dhe stabilitetit.
Bideni dhe Erdogani thuhet se diskutuan gjithashtu edhe për mundësitë për të forcuar lidhjet dypalëshe.
Sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki e përshkroi thirrjen si "konstruktive" dhe "të gjatë", duke thënë se ata folën për rreth një orë. Ajo nuk pranoi të tregonte nëse ata diskutuan për aksesin në Detin e Zi.