Botë

Betejë e ashpër në rrugët e Kievit në ditën e tretë të pushtimit rus

Rezistenca në Kiev ka vazhduar edhe të shtunën kur është raportuar për më shumë se një mijë të vrarë në mesin e ushtrisë ruse. Zëvendëskryeministrja ukrainase i ka bërë thirrje Kryqit të Kuq që të ndihmojë në tërheqjen e ushtarëve të vdekur rus nga rrugët e kryeqytetit Kiev

Zëvendëskryeministrja e Ukrainës, Iryna Vereshchuk ka ftuar Kryqin e Kuq Ndërkombëtarë që të organizojë tërheqjen e mijëra ushtarëve të vrarë rusë.

Thirrja e zëvendëskryeministres ukrainase është bërë në ditën e tretë të pushtimit të Ukrainës kur Rusia ka përqendruar të gjitha forcat ushtarake drejt Kievit.

“Kërkojmë nga Kryqi i Kuq që të na ndihmojnë që të kthejmë në Rusi trupat e të vrarëve. Janë me mijëra trupa të pushtuesve. Kjo është një nevojë humanitare. Kërkojmë që trupat e pushtuesve të largohen nga territori i Ukrainës dhe të kthehen në Rusi”, ka thënë Iryna Vereshchuk.

Të shtunën, ushtria ruse ka bombarduar ndërtesa civilësh por nuk është raportuar për të vdekur, ndërkaq mediat ndërkombëtare kanë raportuar për 800 ushtarë të vdekur rusë. Zëvendëskryeministrja ukrainase pati edhe një porosi për rusët.

“Përsëri u bëjmë thirrje rusëve që të kenë më pak trupa të djemve dhe njerëzve tuaj të vdekur, përndryshe do të ketë me mijëra prej tyre. E them përsëri, fitorja do të jetë e jona”, ka shtuar ajo.

Ndërkaq, për moralin e ukrainasve është duke u përkujdesur presidenti Volodymyr Zelensky. Ai ka refuzuar një ofertë amerikane për t’u larguar, duke insistuar se do të qëndrojë deri në fund.

Në një deklaratë për media, Zelensky u ka bërë thirrje ukrainasve që të rezistojnë.

“Të gjithë që mund të kthehen në Ukrainë, ejani dhe mbroni shtetin tuaj. Do të kemi punë për rindërtim. Të gjithë që mund të mbrojnë Ukrainën nga jashtë, bëjeni me përpikëri. Miqtë e Ukrainës që duan të bashkohen në mbrojtje, ejani dhe ne do t’ju sigurojmë armët”, ka thënë Zelensky.

Ai ka thënë se shumica e ushtarëve rusë të kapur ushtria ukrainase, nuk e kanë idenë se janë dërguar për të vrarë në Ukrainë.

Luftimet në hyrje të kryeqytetit ukrainas kanë vazhduar edhe të shtunën. Ministria e Shëndetësisë ka bërë të ditur se deri të shtunën janë vrarë 198 ukrainas, përfshirë tre fëmijë, ndërkaq 1 mijë të tjerë janë plagosur nga bombardimet ruse.

Forcat e armatosura të Ukrainës kanë shkatërruar një autokolonë ruse në Kiev. Brigada 101 e ushtrisë ukrainase në kryeqytet ka bërë të ditur se kolona me dy automjete të lehta, dy kamionë dhe një tank, është shkatërruar tërësisht.