Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka theksuar se luftimet në Rafah “janë kritike” për Izraelin në ofensivën e saj në Rripin e Gazës.
“Jemi në një betejë kritike tani. Veprimet tuaja ndihmojnë që t’i japim fund kësaj”, u ka thënë ai trupave izraelite në kampin Bnei Netzarim, raporton AP.
Netanyahu po ashtu pranoi vdekjen e pesë ushtarëve izraelitë.
“Jemi këtu në një ditë të vështirë, dita kur ne mësojmë për pesë ushtarët tanë që kanë rënë. Kjo nuk do ta dobësojë shpirtin tonë luftarak”, ka deklaruar Netanyahu.
Në pamjet e publikuara nga ushtria izraelite, Netanyahu shihet teksa e vëzhgon Rripin e Gazës nga lart, derisa fluturon me helikopterë bashkë me disa oficerë ushtarak mbi enklavë.
Izraeli filloi sulmin e tij ndaj Hamasit në Rafah 11 ditë më parë, mes paralajmërimeve nga OKB-ja dhe të tjerët për një rrezik të madh për civilët.
Më shumë se një milion njerëz të zhvendosur ishin strehuar në Rafah dhe më shumë se 630,000 tani janë larguar që nga fillimi i operacionit, thotë OKB-ja.