“Ka shumë urrejtje”, dhe shumë lot, rrëfen reporterja Blanka Dzugaj. Ajo është quajtur “derre” në mediat sociale dhe propagandiste e qeverisë. “Është emocionalisht e vështirë, sepse ne po përpiqemi të bëjmë diçka vërtet të mirë dhe të rëndësishme dhe dëgjojmë diçka të tillë”. Abuzimi dhe kaosi nuk e kanë larguar atë nga shpresa e saj për të krijuar një “TV krejtësisht të ri polak”. Ajo e quan atë “gjënë më të rëndësishme në gazetari”.
Jashtë studios kryesore të lajmeve të mbrëmjes në Poloni ka një rresht policësh të stacionuar për mbrojtje. E gjithë ndërtesa e transmetuesit publik TVP është e rrethuar me barrikada metalike dhe më shumë policë që dridhen nga i ftohti. Brenda objektit të televizionit po zhvillohet beteja për kontrollin e sinjaleve të transmetimit. Është shndërruar në dramë të vërtetë. Por është gjithashtu pjesë e një beteje shumë më të gjerë për pushtet, që filloi kur zgjedhjet vjeshtën e kaluar u dhanë fund tetë viteve të sundimit populist.
“Është mjaft stresuese. Është çmenduri!”, thotë prezantuesi i lajmeve në TVP, Zbigniew Luczynski teksa kalon pranë policisë. Në duar mban brumbullin e madh të letrave me skenarë televizivë.
“Por misioni ynë është shumë i rëndësishëm për ne: të themi të vërtetën - dhe të jemi objektivë”.
Kur Donald Tusk kandidoi për zgjedhje në fund të vitit të kaluar, koalicioni i tij premtoi të rivendoste ekuilibrin në media dhe të ndalonte financimin e “fabrikës së gënjeshtrave dhe urrejtjes”.
Nën qeverinë e mëparshme, të krahut të djathtë, kanalet publike televizive dhe radiofonike ishin bërë ashpër partiake - disa thonë në mënyrë të rrezikshme. Kështu në dhjetor, ministri i ri i kulturës shkarkoi menaxhmentin e lartë të TVP-së dhe kanali i lajmeve 24-orëshe u ndërpre. Reagimi ishte i menjëhershëm.

Rikthimi i transmetimit
Figura të larta të opozitës denoncuan kontrollin e paligjshëm të televizionit dhe rrethuan zyrat e TVP-së. Ata forcuan sigurinë për të hyrë në hollin e televizionit me qëllim që të organizojnë një protestë.
Një ekip rival drejtues më vonë hyri në ndërtesën kryesore të lajmeve në qendër të qytetit.
Kur shkuam në prapaskenë në TVP javën e kaluar, protestuesit ishin larguar nga holli. Por policia, kontrollet e vazhdueshme të identitetit dhe zemërimi vazhdojnë.
Me selinë e lajmeve ende të bllokuar, gazetarët ishin zhvendosur në ndërtesën e studios kryesore të TVP-së, e përdorur kryesisht për programe zbavitëse.
Ekipet po hulumtonin, shkruanin dhe redaktonin kudo që gjenin hapësirë, përfshirë në një ish-tualet.
Kanali 24-orësh, TVP Info, është rikthyer në transmetim, por po transmeton nga një hapësirë hiç më shumë se një dollap fshesash. Është rikthyer edhe emisioni kryesor i lajmeve të mbrëmjes.
Për të shënuar kontrollin e televizionit, edicioni me titullin “Wiadomosci” u riemërua si 19:30 - ndryshimi i parë në historinë e edicionit të lajmeve.
Ka ikur skuadra e vjetër, e drejtuar nga “fytyrat” e famshme. Kanë mbetur vetëm teknikët. “Ende jemi këtu, si buburrecat”, siç bënte shaka njëri prej tyre.
“Ne donim të ndryshonim gjithçka, duke filluar nga gjuha. Sepse për tetë vjetët e fundit ajo ka qenë gjuha e urrejtjes, e dëbimit”, ka shpjeguar Pawel Pluska, redaktori i ri i 19:30.
“Dua të tregoj se ky është televizion që është i hapur për të gjithë dhe të gjitha pikëpamjet do të prezantohen këtu – dhe ato janë duke u prezantuar”.
Në ekranin pas tij gjatë një takimi mes redaktorëve ishin imazhet nga një protestë e opozitës një natë më parë në Varshavë. TVP dërgoi ekipe për ta raportuar atë, të etur për të treguar paanshmërinë e tyre.
Tubimi u thirr nga ish-partia në pushtet Ligji dhe Drejtësia (PiS) në mbrojtje të “medias së lirë” dhe kundër veprimeve të qeverisë së koalicionit.
“Nuk ka më demokraci”, më tha troç një nga protestuesit, Jacek. “Ata thyejnë rregullat. I kanë rregullat e tyre”.
Shumë nga thirrjet ishin të vrazhda dhe të egra kundër Donald Tuskut, duke e portretizuar kryeministrin si një “tradhtar” dhe një “agjent” të supozuar gjerman.
Ato janë lloji i fyerjeve që ka nxjerrë TV shtetëror prej vitesh dhe një kujtesë se përse qeveria lëvizi kaq shpejt për ta mbyllur atë.
Ata janë gjithashtu një kujtesë se sa e polarizuar është bërë Polonia.
Shumë protestues mbanin portretet e dy ish-deputetëve, të burgosur këtë muaj për shpërdorim detyre.
“Rruga drejt tiranisë”
Burrat tani parakalohen si “të burgosur politikë” heroikë nga mbështetësit e PiS-it dhe mbështeten hapur nga presidenti i Polonisë, Andrzej Duda. Ndalimi i tyre, pasi kërkuan strehim në pallatin presidencial, ishte një moment teatri politik.
Ka mundësi që në javët e ardhshme të ndodhin gjëra të tjera. Donald Tusk ka premtuar se do të zbërthejë reformat e diskutueshme në gjyqësor, që BE-ja thotë se gjykatat polake i kanë politizuar.
Mirëpo kur ministria e drejtësisë shkarkoi një prokuror kombëtar të emëruar nga PiS, gjykata më e lartë e Polonisë - Gjykata Kushtetuese - urdhëroi menjëherë kthimin e tij në detyrë.
Duke marshuar me protestuesit në qendër të Varshavës të enjten e kaluar, deputeti i opozitës PiS, Arkadiusz Mularczyk, pretendoi se marrja e TVP-së ishte “rruga drejt tiranisë” në Poloni. Ai nuk e përmendi pikën kryesore që media publike - e financuar nga taksat e njerëzve - kishte qenë zëdhënëse e partisë PiS për tetë vjetët e fundit.
“Nëntëdhjetë për qind e mediave në Poloni janë të njëanshme. Ato mbështesin partinë e qeverisë liberale”, ka argumentuar Mularczyk, duke iu referuar kanaleve komerciale.
Fondacioni i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut kishte vënë në dukje “shqetësimet e tij serioze” në lidhje me metodat e qeverisë.
Në të njëjtën kohë, theksohet se kanalet publike janë kthyer në mjet propagande dhe shtëpi të gjuhës së urrejtjes.

Qeveria përfundimisht i vuri ato në likuidim, për të lejuar ristrukturimin total.
“Ne zgjodhëm rrugën e duhur. Nuk kishte zgjidhje më të pastra ... Unë mendoj se ajo që po bëjmë është shumë e pastër dhe e përgjegjshme”, këmbënguli zëvendëskryeministri Krzysztof Gawkowski, kur e sfidova atë për metodat që kishte përdorur koalicioni.
“Problemi është se ne nuk kemi media publike për tetë vjet. Ishte TV i Partisë, i financuar nga të gjithë qytetarët. Ne duam që media publike të jetë e pavarur”.
Brenda kordonit policor, këtë thonë se duan edhe rekrutët e rinj në TVP.
Por Pawel Pluska pranon se shumica e politikanëve të PiS-it refuzojnë të flasin drejtpërdrejt me gazetarët e tij, duke i konsideruar ata “uzurpues”.
Urrejtja e madhe
Disa njerëz më thanë se një kameraman i TVP-së ishte goditur me grusht në protestën e opozitës për median “e lirë”. “Ka shumë urrejtje”, dhe shumë lot, rrëfen reporterja Blanka Dzugaj. Ajo është quajtur “derre” në mediat sociale dhe propagandiste e qeverisë.
“Është emocionalisht e vështirë, sepse ne po përpiqemi të bëjmë diçka vërtet të mirë dhe të rëndësishme dhe dëgjojmë diçka të tillë”.
Abuzimi dhe kaosi nuk e kanë larguar atë nga shpresa e saj për të krijuar një “TV krejtësisht të ri polak”. Ajo e quan atë “gjënë më të rëndësishme në gazetari”.
Një pjesë e audiencës së krahut të djathtë tashmë ka kaluar në Republika, kanal pak i ndjekur që tani është parë një rritje në shifrat e shikueshmërisë.
Por TVP mbetet burimi kryesor i lajmeve për rreth një të tretën e të gjithë polakëve.
Për ata që qëndrojnë duke parë, ekipi i ri shpreson se qasja e tyre mund të fillojë të shuajë përçarjen.
“Audienca ka pushuar së dëgjuari atë zë çdo ditë duke thënë “Tusk është gjerman” ose se të gjithë të tjerët duan të gllabërojnë, të shkatërrojnë dhe të shpërbëjnë Poloninë”, shpjegon redaktori Pawel Pluska mendimin e tij.
“Të gjithë kanë pikëpamjet e tyre, por ne nuk duhet të luftojmë”.
Përktheu: Blerta Haxhiu