Një ekip i agjencisë së lajmeve “Associated Press” për dy javë ka qëndruar me brigadën e sulmit në vijën e frontit në Ukrainë. Brigada e tretë e sulmit përbëhet krejtësisht nga vullnetarët, mirëpo konsiderohet si brigada më e mirë dhe më me përvojë në vijën e frontit. Ushtarët e kësaj brigade kanë luftuar non-stop që prej muajit janar.
Të tensionuar dhe shumë të përqendruar janë ushtarët ukrainas në hyrje të fshatit Andriivka. Ushtari nga brigada e sulmeve merr urdhrat për të zënë pozicionin.
Urdhrat jepen nga një distancë më e largët. Fshati Andrivka është rrugës për qytetin Bakhmut, të cilin Rusia e ka pushtuar, por është bërë simbol i kundërofensivës ukrainase.
Ekipi i agjencisë së lajmeve “Associated Press” ka qëndruar dy javë me brigadën me qëllim që të tregojë për shpejtësinë dhe koston e kundërofensivës. Krejt skenat janë të incizuara nga ushtarët me kamerat e tyre nëpër helmeta ose edhe me dronë.
Në bazën e brigadës janë komandantët që shikojnë pamjet nga droni që fluturon mbi fushën e betejës. Kështu ata dirigjojnë luftën, gjejnë rrezikun dhe vënë në cak armikun me shumë lehtësi.

Ushtari me nofkën “Duda” i bën thirrje Fedyas që të ketë kujdes pasi ushtarët rusë po u afroheshin pozicioneve të ukrainasve.
“Thuaju djemve që të shtrihen”, thotë me shpejtësi komandanti i mortajave para se të nisë sulmin. Luftimet janë në distanca të afërta.
Brigada e tretë e sulmit përbëhet krejtësisht nga vullnetarët, mirëpo konsiderohet si brigada më e mirë dhe më me përvojë në vijën e frontit. Ushtarët e kësaj brigade kanë luftuar non-stop që prej muajit janar.
Ushtarët më me pak përvojë të kësaj brigade janë zhvendosur në jug të vijës së frontit, por janë stërvitur dhe armatosur me armë moderne të dhuruara nga shtetet perëndimore.
“Kjo është toka jonë. Shikoni këto fusha, këto pyje. Gjithçka do të rritet përsëri. Gjithçka do të lulëzojë dhe rritet. Qytetet që ne marrim, do të ndërtohen dhe ndoshta do të kemi jetë më të mirë sepse do të pastrojmë atë që ka mbetur nga Bashkimi Sovjetik. Kjo luftë mund të jetë gjëja më e mirë që na ka ndodhur, në kuptimin se mund të fillojmë nga e para”, ka thënë një ushtar i kësaj brigade.
Pushtimi i qytetit
Rusia mori kontrollin e qytetit të Bakhmutit për shkak të serisë së sulmeve nga grupi i mercenarëve “Wagner” që përbëhet nga mijëra të burgosur. Forcat ukrainase thonë se kanë vdekur qindra mercenarë.
Që prej muajit maj, ukrainasit kanë bërë përpjekje ta kthejnë kontrollin e qytetit.
Mirëpo ushtarët që janë të ngarkuar me detyrën për të kthyer kontrollin varen krejtësisht nga automjetet e periudhës sovjetike dhe armët e vjetruara.
Në muajin gusht, Brigada e tretë e sulmit ka avancuar vetëm 2 kilometra, duke kaluar llogoret e minuara, por çdo ditë ka të plagosur.
Për brigadën e tretë të sulmit, Andriivka është qëllimi kryesor, ashtu si çdo pëllëmbë toke e Ukrainës. Ivori, komandant i batalionit të dytë thotë se çdo centimetër i Ukrainës është i rëndësishëm.
“Në fotografinë më të gjerë çdo luftim është i rëndësishëm, nuk ka asgjë më të rëndësishme”, ka thënë Ivori.
Dyshimet me të cilat po përballet brigada janë të njëjta me ato të shtetit: A do të kenë sukses dhe me çfarë kosto, kohe dhe jete?
“Do të thosha se nuk ia vlen, nuk ia vlen të humben jetët, por nuk ka tjetër mënyrë dhe neve na duhen më shumë automjete dhe armë, sidomos për brigadën tonë sepse jemi shumë të motivuar dhe të trajnuar mirë”, thotë ushtari, të cilit nuk i është zbuluar identiteti.
Në një studim në muajin gusht, të kryer nga ekspertët britanikë të vijës së frontit, thuhej se forcat ukrainase kanë avancuar mesatarisht 700 deri në 1 mijë e 200 metra çdo pesë ditë. Kjo nuk është e mjaftueshme sepse u ka dhënë kohë ushtarëve rusë që të gropojnë dhe të vendosin mina teksa janë tërhequr.
Ndërkaq, presidenti Volodymyr Zelenskyy ka udhëtuar drejt Washingtonit në kërkim të armëve dhe automjeteve moderne për ushtarët e tij.
SHBA-ja është pajtuar që të ofrojë armatim në vlerë prej 325 milionë dollarësh, ndërkaq është në pritje të miratimit nga Kongresi për pakon ushtarake dhe humanitare në vlerë prej 24 miliardë dollarësh.