Botë

Bessent: Rënia në tregun e aksioneve shkaku i DeepSeek, jo nga tarifat e Trumpit

Sekretari i Thesarit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Scott Bessent

Sekretari i Thesarit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Scott Bessent, ka deklaruar se rënia në tregun e aksioneve ka të bëjë më shumë me lansimin e inteligjencës artificiale DeepSeek nga Kina sesa nga politikat e presidentit amerikan Donald Trump.

“Për të gjithë ata që mendojnë se rëniet në treg janë të gjitha të bazuara në politikat ekonomike të presidentit, mund të ju them se kjo rënie e tregut ka filluar me njoftimin e publikimit të IA kineze, DeepSeek”, ka deklaruar Bessent gjatë intervistës me komentatorin konservator, Tucker Carlson.

“Nëse unë do të analizoja, dhe kjo është hera e vetme që unë do të flas për këtë... çfarë po ndodh me tregun do të thosha që më shumë është një problem i Mag 7, jo problem i MAGA-s”, ka deklaruar Bessent, i cili udhëhiqte një fond investues derisa u emërua si sekretar i Thesarit nga Trumpi.

“Mag7” i referohet aksioneve e të ashtuquajturave “7-shja e Mrekullueshme” – shtatë aksioneve me performancën më të lartë në teknologji dhe që kanë ndihmuar të rrisin tregun e aksioneve para rënies së ditëve të fundit. MAGA i referohet sloganit politik të Trumpit “Bëje Amerikën Madhështore Përsëri”.

Bessent është i fundit zyrtar i administratës së Trumpit që nuk i ka dhënë rëndësi rënies në tregje, e cila është rritur pas njoftimit të së mërkurës të Trumpit për taksë importuese prej 10% dhe shumë tarifa më të larta për produkte nga shumë vende. Sekretari i Tregtisë, Howard Lutnick po ashtu nuk i ka dhënë rëndësi rënies.

Vetë Trumpi të premten ka ripostuar një postim në rrjetet sociale me mbishkrimin “Trumpi me qëllim po e fut tregun në krizë” dhe me imazhe të presidentit duke treguar drejt një shigjete të kuqe në rënie dhe atë duke nënshkruar urdhra ekzekutiv në Shtëpinë e Bardhë.

Në të njëjtën kohë, Bressent po ashtu i ka thënë Carslonit se administrata po mban politikën “dollar i fortë” dhe ka mohuar dyshimet nga disa analistë që tarifat ishin me qëllim që të dobësojnë dollarin dhe t’i bëjnë produktet e SHBA-së më konkurrente në tregjet globale.

“Askush nuk duhet t’i dëgjojë ata në tregje që flasin për dollarin amerikan përveçse presidentin Trump apo mua. Ne jemi të vetmit që flasim për këtë administratë, qeverinë e SHBA-së në politikën e dollarit”, ka deklaruar Bessent.

“Ne kemi një politikë të dollarit të fortë dhe ne jemi duke vendosur të gjithë ingredientët e nevojshëm për t’u siguruar që dollari është i fortë në afat të gjatë”, shtoi ai.

Dollari ka humbur gati 6% të vlerës së tij kundër valutave të partnerëve të mëdhenj tregtar që nga inaugurimi i Trumpit më 20 janar.