Botë

Besimi i Putinit që la në hije Zelenskyyn

Vendosmëria e Putinit u vu në perspektivë në raportin e gazetës gjermane “Bild” më 14 dhjetor, në të cilin një burim rus i paidentifikuar përshkroi planet për të kapërcyer zonat e mbetura të rajoneve të Luhanskut dhe Donetskut dhe për të pushtuar pjesën më të madhe të Kharkivit deri në fund të vitit 2024.

Rusia e Vladimir Putinit ka premtuar se do të shpenzojë 157 miliardë dollarë në luftën kundër Ukrainës dhe t’ia sigurojë vetes 70 për qind rritje në buxhetin e mbrojtjes.

Mirëpo Ukraina e Volodymyr Zelenskyyt ka dështuar të sigurojë 61.4 miliardë dollarë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe 76.6 miliardë dollarë nga Bashkimi Evropian, aleatet më të fuqishme të saj. Dështimi ka ndodhur nga mosmarrëveshjet e brendshme të SHBA-së dhe BE-së në lidhje me shpenzimet.

Gjatë konferencave të gjata për media në javët e fundit rreth çështjeve të kohës së luftës me të cilat përballen dy liderët, besimi i nxjerrë nga presidenti i Rusisë e tejkaloi qartë besimin e thjeshtë të shprehur nga ai i Ukrainës.

Kundërofensiva e verës ukrainase, e cila u shua pa avancime të mëdha territoriale, ka përçarë gjeneralët aleatë, pasi forcat ruse gjatë javëve të fundit kanë avancuar përpara në frontin lindor, duke e kthyer Ukrainën në mbrojtje.

“Praktikisht, në të gjithë vijën e frontit, forcat tona të armatosura, do të themi, po përmirësojnë në mënyrë modeste pozicionin e tyre. Pothuajse të gjithë janë në fazën aktive veprimi”, ka thënë Putini në konferencën e tij vjetore në Qendrën Tregtare Ndërkombëtare në Moskë më 14 dhjetor, duke u larguar nga vlerësimi i tij tradicionalisht i rezervuar për frontin.

Tri ditë më vonë, në një takim të partisë së tij Rusia e Bashkuar: “Rusia ose do të jetë fuqi sovrane, e vetëmjaftueshme, ose nuk do të jetë fare”, duke iu kthyer retorikës së tij të paraluftës për “denazifikimin” dhe “çmilitarizimin” e Ukrainës. “Ukraina – kod për instalimin e regjimit kukull në Kiev dhe për ta bërë Ukrainën zonë tampon të pambrojtur midis Rusisë dhe NATO-s”.

Në anën tjetër, më 19 dhjetor, Zelenskyy shtroi pyetje të sikletshme se pse republikanët e Kongresit në Washington dhe Hungaria rusofile në BE e kanë penguar procesin politik për miratimin e ndihmës ushtarake.

“Unë jam i bindur se Shtetet e Bashkuara nuk do të na braktisin dhe se ajo për të cilën kemi rënë dakord me Shtetet e Bashkuara do të zbatohet plotësisht”, ka thënë Zelenskyy.

“Sa u përket 50 miliardë eurove [të BE-së] kam besim se vendimi do të merret në të ardhmen shumë të afërt kur ata të mblidhen. Është rregulluar në një mënyrë që … ekzistojnë mekanizma të tjerë për të siguruar që Ukraina të marrë këta 50 miliardë euro”.

BE-ja ka propozuar të ofrojë 50 miliardë euro ndihmë financiare për Ukrainën gjatë katër vjetëve të ardhshëm, si dhe 20 miliardë euro ndihmë ushtarake vitin e ardhshëm – në total prej 76.6 miliardë eurosh.

Vendosmëria e Putinit u vu në perspektivë në raportin e gazetës gjermane “Bild” më 14 dhjetor, në të cilin një burim rus i paidentifikuar përshkroi planet për të kapërcyer zonat e mbetura të rajoneve të Luhanskut dhe Donetskut dhe për të pushtuar pjesën më të madhe të Kharkivit deri në fund të vitit 2024. Nëse do të ishte e suksesshme në këtë të fundit, ajo do të zmbrapste avancimet e mëdha të kundërofensivës së Ukrainës në shtatorin e vitit të kaluar.

Burimi përshkroi planet e fazës së dytë për të marrë pjesë të mëdha të rajoneve Zaporizhia dhe Dnipropetrovsk dhe për të përparuar deri në qytetin e Kharkivit deri në fund të viteve 2025 dhe 2026.

Luftë e egër

Larg konferencave të bukura të presidentëve, lufta e eklipsuar tashmë në masë të madhe në media po zhvillohet egër me humbje të mëdha jetësh.

Marinsat ukrainas që kanë marrë pjesë në operacionet përtej lumit Dnipro në Kherson kanë thënë për gazetën “New York Times” se operacionet ishin “mision vetëvrasës”.

Ata përshkruanin shkallë të lartë viktimash dhe granatime aq intensive nga pozicionet ruse, saqë nuk kishin mundur të tërhiqnin trupat e shokëve të tyre nga fronti i luftës për dy muaj. Ata nuk kanë mundur as t'i kthejnë të plagosurit në kampet bazë përtej lumit.

“Nuk ka pozita. Nuk ka gjë të tillë si post vëzhgimi apo pozicion”, ka thënë një ushtar. “Është e pamundur të fitosh terren atje. Është e pamundur të zhvendosësh pajisjet atje… Nuk është as luftë për mbijetesë”, ka shtuar ai. “Është mision vetëvrasës”. Shtabi i përgjithshëm i Ukrainës ka deklaruar se ata nuk do të komentonin deri në një datë të mëvonshme.

Image
Ekrani në Moskë duke shfaqur Vladimir Putinin me vetëbesim gjatë konferencës vjetore me gazetarët

Ukraina besohet se ka arritur të vendosë një forcë të vogël prej 200 deri në 300 ushtarësh në Bregun e Majtë gjatë dy muajve të fundit.

“Këto vështirësi duhet të priten për atë që është operacion i ekonomisë së forcës me pozicione të kufizuara”, ka shkruar Instituti për Studime të Luftës, me bazë në Washington.

Pararoja ukrainase mund të jetë duke vendosur kushte për urë më të sigurt dhe nisje të operacioneve në të gjithë Dnipron, ka vlerësuar instituti. Shtypja e artilerisë ruse në bregun e majtë do t'u mundësonte civilëve që u larguan nga bregu i djathtë i Dnipros, i kontrolluar nga Ukraina, të ktheheshin. Edhe Rusia po pëson humbje të mëdha në këtë front.

Më 15 dhjetor, inteligjenca britanike e mbrojtjes raportoi “humbje jashtëzakonisht të rënda” midis Divizionit 104 të Sulmimit Ajror të sapoformuar rus, gjatë operacionit në Kherson. Njësia u dërgua për të hequr urën e Ukrainës pasi marinsat nuk arritën ta bënin këtë për dy muaj.

Dy ditë më vonë, forcat e armatosura të Ukrainës thanë se 1250 ushtarë rusë ishin “likuiduar” për 24 orë, numër tronditës krahasuar me shifrat e zakonshme të viktimave. Gjatë betejës ishin shkatërruar 25 transportues të blinduar të personelit dhe 19 tanke.

Autoritetet ukrainase nuk specifikuan se ku ishin zhvilluar këto beteja shumë të rënda, por shtabi i përgjithshëm ka njoftuar se sulmet ruse vazhduan kundër Kupianskut, Lymanit, Bakhmutit, Avdiivkas dhe Marinkas - të gjitha qytete në frontin lindor - dhe Novopokrovka dhe Robotyne në frontin jugor.

Kreu i forcave tokësore të Ukrainës, Oleksandr Syrskyi, ka thënë se Rusia kishte humbur 8 mijë ushtarë vetëm në frontin lindor në gjysmën e parë të dhjetorit.

Përpjekjet e Ukrainës

Për Ukrainën ka boshte drite mes zymtësisë së kundërofensivës që nuk dha rezultatet e pritura. Ukraina e ka mbrojtur veten aq sa ka mundur nga sulmi me dron rus. Më 13 dhjetor u raportua se mbrojtja ajrore ukrainase kishte rrëzuar të 10 dronët iranianë Shahed dhe 10 raketa që kishin për cak Kievin. Të nesërmen u rrëzuan 41 nga 42 dronët e lëshuar në Ukrainë, si dhe të 14 dronët dhe të dy raketat u lëshuan një ditë më vonë.

Më 16 dhjetor, Ukraina rrëzoi 30 nga 31 dronë, të gjithë 20 dronët Shahed të lëshuar më 17 dhjetor dhe 18 nga 19 dronët e lëshuar më 20 dhjetor. Kjo përfaqëson një normë vdekjeje prej 98 për qind për javën.

Rusia synoi infrastrukturën e energjisë dhe ujit të Ukrainës dimrin e kaluar, në një përpjekje për të thyer vullnetin popullor për të mbështetur luftën. Javën e kaluar, zëdhënësi i Forcave Ajrore të Ukrainës, Yuri Ignat, tha se Rusia tani ka mjaft dronë për të sulmuar Ukrainën çdo ditë nga drejtime të ndryshme – diçka që Rusia praktikisht e ka bërë për pjesën më të madhe të vjeshtës.

Shpresat për Ukrainën

Edhe nëse merr 138 miliardë dollarët që shpreson për ndihmën ushtarake vitin e ardhshëm, Ukraina përballet me mungesë të madhe të armatimit dhe shqetësime për fuqinë punëtore.

Zelenskyy ka thënë se udhëheqësit ushtarakë kanë propozuar uljen e moshës së mobilizimit nga 27 në 25 vjeç për të veshur me uniformë deri në gjysmë milioni ukrainas vitin e ardhshëm, duke shpërfaqur vështirësitë që kishte forca afërsisht milionëshe e Ukrainës në fillim të pushtimit.

Putini, nga ana tjetër, ka thënë se kishte 617,000 trupa në të gjithë frontin, rreth 200,000 më shumë sesa kishte vlerësuar inteligjenca ushtarake ukrainase në shtator.

Probleme ka edhe me armatimin.

Gjeneral brigade ukrainas Oleksandr Tarnavskyi, i cili drejton forcat që po i prijnë kundërsulmit më të rëndësishëm në front, në Robotyne në Zaporizhia, ka thënë për Reutersin se Ukraina po zvogëlonte disa operacione për shkak të mungesës së municioneve “në të gjithë vijën e frontit”.

“Kapacitetet që kemi sot nuk janë të mjaftueshme për ne... Po riplanifikojmë detyrat që ia kishim vendosur vetes dhe po i bëjmë ato më të vogla, sepse duhet t'i sigurojmë ato”, ka thënë ai pa ofruar shumë detaje.