Botë

Belgjika mbështet ndalimin e importit të diamanteve ruse

(AP) — Kryeministri i Belgjikës ka thënë se vendi i tij, i cili ka interesin më të madh në tregtinë globale të diamanteve në Bashkimin Evropian, mbështet ndalimin e importit të diamanteve ruse si pjesë e sanksioneve që synojnë qeverinë e presidentit Vladimir Putin, për luftën e tij kundër Ukrainës.

Kjo u bë e ditur gjatë vizitës së presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskyy në Bruksel, të mërkurën.

Ai ka kërkuar vazhdimisht lëvizje të tillë që prej fillimit të pushtimit rus në shkurt të 2022-s. Rusia eksporton rreth 4 miliardë dollarë diamante të papërpunuara në vit, gati një e treta e totalit botëror, sipas vlerësimeve të ndryshme.

I pyetur se kur do të hyjë në fuqi ndalimi, kryeministri belg Alexander De Croo ka thënë “synimi është 1 janari i vitit 2024”.

Sipas “The Antwerp World Diamond Centre”, qendra më e rëndësishme e tregtimit të diamanteve në botë, 84% e të gjithë diamanteve të papërpunuara, të nxjerra në mbarë botën, tregtohen në Belgjikë.

Në Belgjikë, sektori i diamanteve punëson 6600 persona direkt dhe siguron 26 mijë vende të tjera indirekte të punës, me tregti vjetore që arrin në 37 miliardë dollarë.