Botë

BE-ja vendos sanksione ndaj Iranit për furnizim të Rusisë me armë

Ursula von der Leyen

Foto: Associated Press

Bashkimi Evropian vendosi të hënën sanksione ndaj zëvendësministrit të Mbrojtjes të Iranit, anëtarëve të lartë të Gardës Revolucionare dhe tri linjave ajrore, me akuzat se ata furnizuan me drone, raketa dhe pajisje të tjera Rusinë, për përdorim në luftën e saj kundër Ukrainës.

Presidentja e Komisionit, Ursula von der Leyen konfirmoi masat e reja gjatë një paraqitjeje në Berlin, së bashku me kancelarin gjerman, Olaf Scholz, raporton AP.

"Vrasjet e përditshme dhe vdekja e njerëzve të pafajshëm që ne shohim, nuk do të ishte e mundur pa furnizimet dhe linjat e furnizimit nga Irani. Prandaj, këto sanksione kundër Iranit po dërgojnë një mesazh shumë të qartë. Kontributet në terrorin dhe luftën e paligjshme të agresionit të Rusisë kanë pasoja të rënda”, ka thënë von der Leyen.

Zëvendësministri i Mbrojtjes i Iranit, Seyed Hamzeh Ghalandari është një nga shtatë zyrtarët e lartë që tani u ndalohet të udhëtojnë në Evropë, dhe pasuritë e të cilëve në bllok janë ngrirë.

BE-ja ka thënë se ai "është i përfshirë në zhvillimin e programit të Iranit me dronë dhe raketa".

Ministrat e jashtëm të BE-së miratuan sanksionet në një takim në Luksemburg.

Në mars, blloku kishte paralajmëruar se “nëse Irani do të transferonte raketa balistike dhe teknologjinë përkatëse në Rusi për përdorim kundër Ukrainës, BE-ja do të ishte e përgatitur të përgjigjej me shpejtësi, duke përfshirë masa të reja dhe të rëndësishme kufizuese”.

Vendet anëtare të BE-së, me përjashtim të Hungarisë, kanë furnizuar me armë dhe municion, si dhe kanë ofruar mbështetje ekonomike dhe të tjera për Ukrainën me vlerë rreth 118 miliardë euro që kur

Rusia nisi pushtimin e saj në shkallë të plotë, në shkurt 2022.