Vendet e Bashkimit Evropian do të synojnë të paraqesin një front të bashkuar në ditët në vijim kundër tarifave të presidentit amerikan, Donald Trump.
Pritjet janë se do të miratohet një grup kundërmasash për deri në 28 miliardë dollarë të importeve amerikane, duke nisur nga produktet dentare e deri te diamanti.
Një veprim i tillë do të nënkuptonte rreshtimin e BE-së me Kinën dhe Kanadanë në vendosjen e tarifave hakmarrëse ndaj Shteteve të Bashkuara, duke shënuar një përshkallëzim të asaj që disa frikësohen se do të shndërrohet në një luftë tregtare globale, duke i bërë mallrat më të shtrenjta për miliarda konsumatorë dhe duke i shtyrë ekonomitë në mbarë botën në recesion.
Blloku 27-vendesh përballet me tarifa importi prej 25% për çelikun, aluminin dhe veturat dhe tarifat "reciproke" prej 20% nga e mërkura për pothuajse të gjitha mallrat e tjera.
Tarifat e Trumpit mbulojnë rreth 70% të eksporteve të BE-së në Shtetet e Bashkuara, me vlerë gjithsej 532 miliardë euro vitin e kaluar.
Komisioni Evropian, i cili koordinon politikën tregtare të BE-së, do t'u propozojë anëtarëve të hënën vonë një listë të produkteve amerikane për t'u vendosur tarifa shtesë në përgjigje të tarifave të Trumpit për çelikun dhe aluminin, në vend të tarifave më të gjera reciproke.
Ato do të përfshijnë mishin, drithërat, verën, drurin dhe veshjen amerikane, si dhe çamçakëzat, produktet dentare, dhe letrat higjienike.