Botë

BE-ja pezullon kundërmasat ndaj SHBA-së për 90 ditë

Ursula von der Leyen

Ursula von der Leyen

Foto: Associated Press

Shefja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka konfirmuar përmes rrjetit social X se Bashkimi Evropian do t’i pezullojë kundërmasat e miratuara ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës të mërkurën për një afat 90-ditor, si përgjigje ndaj vendimit të presidentit amerikan, Donald Trump, për t’i pezulluar tarifat reciproke, raporton The Guardian.

“Ne duam t’i japim negociatave një mundësi”, ka thënë ajo.

Von der Leyen ka paralajmëruar se nëse negociatat nuk janë të suksesshme atëherë kundërmasat do të hyjnë përsëri në fuqi.

“Nëse negociatat nuk janë të kënaqshme, atëherë kundërmasat do të kthehen përsëri”, ka shtuar ajo.

Trumpi të mërkurën pezulloi tarifat reciproke me të gjitha shtetet për 90 ditë, përveç Kinës së cilës ia rriti në 125%. SHBA-ja la në fuqi tarifat universale prej 10%.