Botë

BE-ja miraton reformën e madhe mbi migrimin dhe azilin

Emigrantët

Pas vite negociatash, Parlamenti Evropian ka miratuar një reformë të madhe për rregullat mbi migrimin në Bashkimin Evropian dhe azilin.

Pakti i BE-së për Migrimin dhe Azilin është diskutuar që nga viti 2015 dhe do të hyjë në fuqi brenda dy vjetësh. Ky pakt është dizajnuar ashtu që të përshpejtojë procesin e azilit dhe të shtyjë kthimin më të shpejtë të migrantëve në vendlindjet e tyre. 

Po ashtu, u kërkon shteteve anëtare të BE-së që të ndajnë përgjegjësinë për azilkërkuesit. 

Presidentja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola, ka thënë se pakti është “balancim mes solidaritetit dhe përgjegjësisë”. 

“Historia u bë”, ka shkruar ajo në X. 

Vitin e kaluar rreth 380,000 persona kaluan ilegalisht kufijtë e BE-së – numri më i lartë që nga viti 2016, raportoi BBC. 

Pakti u mbështet nga dy grupet politike kryesore – grupit i qendrës së djathtë, Partia Popullore Evropiane, dhe grupi i qendrës së majtë, Aleanca Progresive e Socialistëve dhe Demokratëve.