Bashkimi Evropian i ka kërkuar të hënën Turqisë të respektojë të drejtat e zyrtarëve të zgjedhur dhe protestuesve paqësorë.
Zëdhënësi i Komisionit Evropian, Guillaume Mercier, ka thënë se Turqia duhet "të mbetet e ankoruar në Evropë" duke u përkushtuar "për normat dhe praktikat demokratike", raporton AP.
"Si një anëtare e Këshillit të Evropës dhe një kandidate për anëtarësim në BE, Turqia duhet të mbajë vlerat demokratike. Këto të drejta, të drejtat e zyrtarëve të zgjedhur, si dhe të drejtat e demonstratave paqësorë, duhet të respektohen plotësisht”, ka thënë ai.
Të dielën, një gjykatë ka arrestuar zyrtarisht kryebashkiakun, Ekrem Imamoglu dhe ka urdhëruar burgosjen e tij në pritje të një gjyqi për akuzat për korrupsion.
Ndalimi i tij të mërkurën ka shkaktuar valën më të madhe të demonstratave në rrugët e Turqisë në më shumë se një dekadë, duke thelluar shqetësimet mbi demokracinë dhe sundimin e ligjit.
Burgimi i kryebashkiakut konsiderohet gjerësisht si një lëvizje politike për të eliminuar sfiduesit e Erdoganit nga gara e ardhshme presidenciale, e planifikuar aktualisht për në vitin 2028.
Zyrtarët qeveritarë i kundërshtojnë me forcë akuzat dhe këmbëngulin që gjykatat e Turqisë funksionojnë të pavarura.
Imamoglu është burgosur me dyshimin për drejtimin e një organizate kriminale, marrjen e ryshfetit, zhvatjen, regjistrimin e paligjshëm të të dhënave personale dhe manipulimin e ofertave, akuza që ai i ka mohuar.
Kërkesa për burgosjen e tij për akuza të lidhura me terrorin është refuzuar edhe pse ai ende përballet me ndjekjen penale.
