Botë

BE-ja dhe Kina larg marrëveshjes për tarifat e veturave elektrike

Flamujt e Bashkimit Evropian dhe Kinës

Bashkimi Evropian dhe zyrtarët kinezë po vazhdojnë bisedimet për alternativat sa i përket tarifave evropiane për automjetet elektrike kineze, duke përfshirë çmimet minimale me të cilat veturat e tilla mund të shiten në Evropë.

Megjithatë asnjë zgjidhje nuk është afër, kanë bërë të ditur zyrtarët evropianë të hënën, raportoi Reuters.

Bernd Lange, kryetar i komitetit të tregtisë në Parlamentin Evropian, ka thënë të premten se një marrëveshje midis Kinës dhe 27 vendeve të BE-së për të zëvendësuar tarifat me diçka tjetër ka qenë afër.

Por zyrtarët e BE-së, të cilët kërkuan të mos përmendet për shkak të ndjeshmërisë së bisedimeve me Pekinin, thanë se kjo nuk është e saktë, sepse ndërkohë që bisedimet po vazhdojnë, ka ende pengesa në arritjen e marrëveshjes.

Për të adresuar subvencionet, Bashkimi Evropian muajin e kaluar rriti tarifat për automjetet elektrike të prodhuara në Kinë deri në 45.3 për qind, lëvizje kjo që ka ndarë Evropën dhe ka shkaktuar hakmarrje nga Pekini.

Dhoma e Tregtisë e Kinës në BE atë kohë tha se është e zhgënjyer nga masat "arbitrare" të BE-së.